Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Fluksi i pacientëve në shërbimin e urgjencës të Spitalit Rajonal Vlorë është rritur gjatë sezonit turistik, ndërsa paralelisht po avancon procesi i dixhitalizimit të shërbimeve shëndetësore përmes implementimit të sistemit Sistemi Rajonal i Informacionit Spitalor (RHIS).
Mjeku specialist në spitalin rajonal Vlorë, Daniel Hoxha, bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe urgjenca ka përballuar një numër të konsiderueshëm pacientësh, mes të cilëve edhe pushues që ndodhen në qytetin bregdetar dhe zonat turistike përreth.
“Numri i vizitave të pacientëve ka ardhur duke u rritur, pasi jemi dhe në pikun e sezonit turistik. Mbizotërojnë kryesisht virozat e stinës, gastroenteritet akute dhe gjendjet febrile”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, një numër i konsiderueshëm pacientësh, përfshirë edhe pushues, paraqiten në urgjencën e Vlorës për të marrë shërbim shëndetësor dhe, në rastet kur është e nevojshme, për trajtime më të specializuara mjekësore.
Një tjetër risi në punën e përditshme të stafit shëndetësor është dixhitalizimi i kartelave mjekësore të pacientëve, proces që ka nisur të implementohet që prej qershorit 2026 përmes sistemit online RHIS.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjatë periudhës maj–korrik 2026 janë regjistruar 60 394 veprime në të gjithë rrjetin spitalor përmes sistemit RHIS, duke shënuar një rritje prej 339%.
Implementimi i këtij sistemi synon avancimin e mëtejshëm të dixhitalizimit të shërbimeve shëndetësore, lehtësimin e menaxhimit të të dhënave mjekësore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve.
