Pas disa javësh mungesë, opozita mori pjesë sot në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Gjatë mbledhjes, bashkëkryetari Luçiano Boçi theksoi se rëndësinë e arritjes së një produkti konsensual. Deputeti demokrat shtoi se komisioni nuk duhet të funksionojë formalisht, por të prodhojë një zgjidhje të dakordësuar nga të dyja palët.
“Ne kemi të njëjtën qasje për rëndësinë e madhe që ka komisioni për reformën territoriale. Marrëdhëniet në parlament mes mazhorancës dhe opozitës nuk janë në normalitet, janë marrëdhënie të tensionuara për shkak të sjelljes së mazhorancës, e cila ka tentuar gjatë gjithë kësaj kohe kufizimin e jetës parlamentare të opozitës dhe të drejtave të saj. Ky parlament nuk duhet të jetë në një oaz sikur ky funksionon dhe në pjesën më të madhe të tij ai nuk funksionon”, u shpreh ai.
“Nëse jemi ulur këtu, jemi ulur me bindjen që i shërbejmë qytetarit dhe Shqipërisë pasi ka të bëjë me një problem shumë të ndjeshëm, me shërbimet që dehet të forcohen dhe se nuk ka një paravendosje në paracaktim të produktit të këtij komisioni. Kjo pasi në fund fare, ju na nxirrni nga mënga variantin për të cilin keni pasur prononcime të niveleve të ndryshme për numrin e bashkive, ndarjen e territorit apo krijimin e institucioneve të tjera”, tha Boçi.
Sipas Boçit, nëse në fund mazhoranca paraqet një variant të njëanshëm, atëherë vihet në pikëpyetje vetë komisioni.
“Ne do të donim që Komisioni që është ngritur me konsensus duhet të ketë një produkt të vetëm. Ne duhet të dalim me një produkt të dakordësuar. Nëse rruga jonë kalon pjesërisht nëpërmjet konsensusit dhe ne fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni?! Nëse ecni me idenë se, çfarëdo që themi ne nuk konsiderohet, nuk merret si pjesë e vendimmarrjes, atëherë ne jemi në një rrugëtim krejtësisht hipokrit dhe formal. Nuk kemi siguri për këtë! Ne duhet të vendosim standardin parlamentar dhe politik të një komisioni që është në paritet. Duhet të kemi një produkt konsensual të dakordësuar nga palët”, tha Boçi.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari Arbjan Mazniku deklaroi se mazhoranca ka shprehur vullnet për një proces gjithëpërfshirës dhe për miratimin e reformës me unanimitet.
“Pozicioni i mazhorancës është i qartë që të ketë një komision i cili idealisht të dalë me një pozicion. Ka pasur të mjaftueshëm shprehje të vullnetit të mazhorancës që nëse është e mundur që kjo reformë të kalojë me unanimitet në Kuvend do të ishte zgjidhja ideale e kërkuar dhe unë besoj se ka tashmë prova të dhëna të mazhorancës në raport me këtë komision, të mirëbesimit për një proces të tillë, duke filluar nga kërkesa për bashkryesinë, për ndarjen në mënyrë të barabartë të anëtarëve të këtij komisioni, që të thërrasim Kongresin e Autoriteteve Vendore si një partner në këtë komision, por edhe BE, edhe aktorë të tjerë potencial si një partner të punës së këtij komisioni”, tha Mazniku.
Mazniku theksoi se reforma duhet të përmbyllet brenda një dritareje të caktuar kohore, në funksion të procesit të integrimit evropian.
“Me dakordësinë që pavarësisht hapave të rikthehemi për të gjetur opsionin e një bashkëpunimi më të mirë të mundshëm. Mirëbesimi i dhënë në mënyrë sistematike nga ana e mazhorancës nuk mund të jetë një mekanizëm për të bllokuar dhe për të mos e çuar para këtë reformë.
Kemi një dritare specifike për këtë reformë, kjo dritare lidhet me faktin që në 2027 Shqipëria mbyll negociatat me BE-në dhe sipas të gjitha gjasave me vullnetin politik dhe të BE-së në 2029-2030 Shqipëria bëhet një vend anëtar dhe në na duhet që në këtë periudhë të caktuar ne të kemi bashki dhe rajone të afat për të funksionuar, jo thjesht si struktura, por që janë të afat të tërheqin financime dhe projekte nga BE në territorin e tyre”, tha ai.
Mazniku theksoi se është e rëndësishme që reforma të përmbyllet para zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
Në fund të mbledhjes anëtarët e komisionit votuan propozimin e mazhorancës për zgjedhjen e Ermal Pacajt si sekretar i komisionit. Gjithashtu komisioni votoi edhe listën e emrave të ekspertëve pranë komisionit.
Mbledhja e radhës u ra dakord që të zhvillohen ditën e hënë.

