Mblidhen disa komisione parlamentare, disa projektligje në shqyrtim

Nga D. V.
180 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 prill, Zhurnal.mk – Disa komisione parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot, më 21 prill 2026, mbledhjet e radhës, ku pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh dhe çështjesh të rëndësishme.

Duke filluar nga ora 09:00, Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal do të shqyrtojë draft-planin e punës për sesionin pranveror 2026.

Në të njëjtën kohë, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të trajtojë një numër të madh raportesh me amendamente për projektligje të ndryshme, përfshirë ato për Shtetësinë e Kosovës, Shërbimet e Pagesave dhe Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ndërkaq, nga ora 10:00, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të shqyrtojë disa projektligje, si ai për banim social dhe të përballueshëm, si dhe projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

Edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në orën 10:30, do të zhvillojë diskutim me Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me arritjet dhe sfidat e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve për organizatat buxhetore.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të mblidhet edhe Komisioni për Integrime Evropiane, i cili në rend dite ka shqyrtimin e një sërë projektligjesh nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Komisioni për Buxhet, nga ora 13:00, do të shqyrtojë disa projektligje nga aspekti i ndikimit financiar, përfshirë ato për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe masat e përkohshme për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër