Mbyllet një nga hetimet ndaj Martin Berishajt

Nga Xh M
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 korrik Zhurnal.mk – Hetimet që nisën në shkurt të vitit 2025 ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tashmë kanë përfunduar. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Albanian Post se rasti, i lidhur me procedurën e transportimit të votave nga diaspora, është mbyllur.

Prokuroria në përgjigjen e saj për Albanian Post ka bërë të ditur se vendimi për mbylljen e hetimeve është marrë pas përfundimit të të gjitha veprimeve hetimore, përfshirë grumbullimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve relevantë për këtë çështje.

“Pas shqyrtimit të të gjitha informatave dhe provave të siguruara gjatë procedurës paraprake, Prokurori i Shtetit ka përpiluar raport për mbylljen e rastit, pasi që nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer vepra penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Albanian Post.

Hetimet nisën pas raportimeve në media gjatë kohës kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta, ku dyshohej se Berishaj kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor, duke marrë vetë zarfet me fletëvotime nga diaspora për t’i dërguar më pas në Ambasadën e Kosovës në Zagreb.

Prokuroria kishte pranuar një raport informues nga policia më 25 shkurt të vitit të kaluar, lidhur me zbatimin e autorizimeve të dhëna nga Prokurori i Shtetit, në kuadër të dyshimeve të ngritura ndaj Berishajt për procesin zgjedhor të 9 shkurtit dhe pranimin e votave përmes dërgesave postare.

Megjithatë, kjo nuk është çështja e vetme për të cilën Berishaj po hetohet. Ai ishte intervistuar në prill të vitit 2024 nga Prokuroria Speciale lidhur me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale për të mësuar rreth ecurisë së këtij procesi dhe se kur mund të presë opinioni publik një epilog përfundimtar për këtë rast, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje nga ky institucion.

Hetime për Berishajn ka edhe në Serbi. Gjatë vitit të kaluar, Albanian Post raportoi ekskluzivisht se Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Sllovenisë ia kishte kaluar hetimet institucioneve të Serbisë, pasi, sipas këtij institucioni slloven, të gjitha provat ndodheshin në këtë shtet.

Rasti i Martin Berishajt u bë publik në prill të vitit 2022, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Slloveni, pas publikimit të dokumenteve nga një agjenci e huaj për parandalimin e pastrimit të parave. Dokumentet ngritën dyshime për transferta të shumta financiare nga kompania energjetike GEN-I Beograd drejt dy kompanive të lidhura me Berishajn, të regjistruara në Kosovë dhe Mal të Zi, me emrin MB Consulting.

Sipas raportimeve, GEN-I Beograd kishte transferuar në disa këste më shumë se dy milionë euro te kompanitë e Berishajt, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve dyshohet se ishte tërhequr në para të gatshme nga vetë Berishaj.

Tërheqja e rreth 1.8 milionë eurove në cash ngriti pikëpyetje lidhur me destinimin e këtyre fondeve dhe natyrën e shërbimeve për të cilat ishin kryer pagesat.

Berishaj i ka mohuar akuzat për keqpërdorim financiar, duke deklaruar se pagesat kanë qenë të lidhura me shërbime konsulence dhe aktivitete të ligjshme biznesi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër