Mbyllja e ndërmarrjeve në likuidim, themelohet shoqëria e re tregtare nën Ministrinë e Ekonomisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 tetor Zhurnal.mk – Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e shoqërisë tregtare shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., duke i hapur rrugë zbatimit të kuadrit ligjor për mbylljen e ndërmarrjeve publike që ndodhen në proces likuidimi.

Vendimi u mor me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe dispozitave të ligjit nr. 79/2026 “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.

Miratimi i statutit dhe kapitali fillestar

Sipas aktit zyrtar, Këshilli i Ministrave ka dhënë dritën e gjelbër për statutin dhe aktin e themelimit të kësaj shoqërie aksionare.

“Kapitali fillestar i shoqërisë tregtare shtetërore është 100 000 000 (njëqind milionë) lekë dhe përballohet nga buxheti i shtetit, alokuar për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit,” thuhet në vendimin e miratuar.

Zbatimi dhe institucionet përgjegjëse

Struktura e re do të shërbejë si mekanizmi kryesor shtetëror për menaxhimin dhe përmbylljen e proceseve të likuidimit të shoqërive publike.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar drejtpërdrejt Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, vetë shoqëria e re “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., si dhe të gjitha shoqëritë tregtare me kapital shtetëror që ndodhen aktualisht në proces likuidimi.

artikuj të ndërlidhura