Më 13 korrik u vlerësua si ujë i pijshëm, Prokuroria zbulon se uji në Gostivar ishte i kontaminuar me fekale që nga 25 qershori

Nga I.A
896 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pirje dhe për përgatitjen e ushqimit mbetet në fuqi, derisa analizat laboratorike të konfirmojnë se ai është plotësisht i sigurt, njoftoi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Milanov.

Ai bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit për ndotjen, AUV-ja ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të përdorimit të ujit dhe ka urdhëruar marrjen e masave urgjente. Sipas Milanovit, në kohën më të shkurtër të mundshme duhet të sigurohet ujë teknik dhe ujë i pijshëm për banorët e Gostivarit, ndërsa autoriteteve lokale u është kërkuar të ndërmarrin aktivitete për sanimin e sistemit të furnizimit me ujë.

Milanov theksoi se raporti i fundit që AUV-ja kishte marrë nga Qendra për Shëndet Publik – Gostivar ishte i datës 13 korrik dhe në të ishte konstatuar se uji ishte i përshtatshëm për pirje. Ndërkohë, hetimi i Prokurorisë Themelore Publike ka zbuluar se gjatë periudhës nga 25 qershori deri më 16 korrik, në sistemin e furnizimit me ujë ishin vendosur pompa ilegale, të cilat kishin futur në rrjet ujë të ndotur me fekale.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit të kryer më 16 korrik është konstatuar se dy pompa zhytëse ende ishin në funksion dhe përmes gypave futnin ujë nga një kanal i hapur, i ndotur me baktere koliforme, në dhomën nga e cila furnizohet sistemi i ujit të pijshëm.

Aktualisht po zhvillohen kontrolle të intensifikuara inspektuese, ndërsa mostrat po merren nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, si dhe nga kopshtet, institucionet shëndetësore, objektet e hotelerisë, objektet fetare dhe institucione të tjera publike. Nga AUV-ja kanë paralajmëruar se do të sanksionohen të gjitha subjektet ku do të konstatohet mosrespektimi i masave të vendosura.

Milanov u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rreptësisht rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe të mos e përdorin ujin për pirje apo për përgatitjen e ushqimit, derisa të publikohen rezultatet përfundimtare laboratorike.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, e vlerësoi rastin si një incident serioz dhe theksoi se duhet të përcaktohen plotësisht të gjitha rrethanat, si dhe përgjegjësia penale dhe morale e të gjithë personave të përfshirë.

Në hetimin e Prokurorisë janë të dyshuara drejtoresha e NP “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dervishi. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, ata kanë mundësuar ndotjen e ujit në sistemin që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Gostivarit dhe një pjesë të vendbanimeve përreth.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër