Romë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili pretendoi se ajo i ishte “lutur” për të bërë një foto me të, gjatë samitit të G7-tës në Evian të Francës, sipas “La Repubblica”.
Në një bisedë telefonike me emisionin “L’Aria che tira” në La7, Trump u shpreh se Meloni “i ishte lutur për një fotografi” dhe se kishte pranuar vetëm sepse “i kishte ardhur keq për të”.
“Nuk di çfarë t’ju them. Më lutej të bënim një foto bashkë. E donte aq shumë atë fotografi me mua. Mund të mos e kisha bërë fare, por më erdhi keq për të”, deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump.
Reagimi i Meloni erdhi pak më vonë nga Brukseli, ku ajo ndodhet për mbledhjen e Këshillit Evropian.
“Janë deklarata të sajuara. Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse sillet kështu me aleatët, nuk është hera e parë që ndodh. Më vjen keq që nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj kundërshtarëve të Perëndimit, me liderë ndaj të cilëve shpesh shfaqet më i butë. Një gjë duhet ta mbajë mend: Unë dhe Italia nuk lutemi kurrë”, tha Meloni.
Përplasja vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy liderëve. Gjatë muajve të fundit, raportet mes Romës dhe Uashingtonit janë ftohur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi krizën në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.
Megjithatë, në samitin e G7-tës në Evian, të dy liderët zhvilluan një takim sqarues, për të ulur tensionet dhe për të rikonfirmuar rëndësinë e unitetit perëndimor.
Sipas medieve italiane, biseda mes Trump dhe Meloni në samitin e G7-tës, u konsiderua një përpjekje, për të rikthyer dialogun, pas disa muajsh marrëdhëniesh të tendosura.
Ky është vetëm episodi më i fundit, në një seri shkëmbimesh publike mes dy liderëve, pasi Trump kritikoi edhe më herët Melonin, për qëndrimet e saj në politikën e jashtme, duke vënë në dyshim mbështetjen e saj për strategjinë amerikane në Lindjen e Mesme.
