Shkup, 03 Mars, Zhurnal.mk – Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut tha se rezervat shtetërore të naftës janë të “qëndrueshme dhe sigurojnë sigurinë e furnizimit për qytetarët dhe ekonominë” e vendit, në kohën kur luftimet në Lindjen e Mesme kan filluar të trazojnë tregun e naftës.
Kjo ministri tha sot në një komunikatë se po monitoron nga afër situatën aktuale të energjisë, “veçanërisht në kontekstin e tregjeve të naftës dhe rreziqeve të mundshme gjeopolitike.”
“Ministria informon publikun se Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës monitoron dhe mirëmban vazhdimisht rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës, duke siguruar sigurinë e furnizimit, stabilitetin e tregut dhe gatishmërinë për reagim në kohë në rast të çdo ndërprerjeje të importeve ose furnizimeve,” shkruan ministria në komunikatë.
Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës MAKORA ka një detyrim ligjor për të krijuar dhe mirëmbajtur rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës në përputhje me rregulloren evropiane, pra Direktivën 2009/119/KE, e cila përcakton mbulimin minimal të detyrueshëm për një numër të caktuar ditësh të konsumit ose importit mesatar.
Ministria tha se nëse lind një mungesë ose ndërprerje e mundshme që mund të kërcënojë furnizimin, “Qeveria do të reagojë menjëherë dhe në mënyrë të përshtatshme, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.”
“Në këtë moment, rezervat shtetërore janë të qëndrueshme dhe sipas informacionit të disponueshëm, vendi ynë është ndër më të përgatiturit në rajon për sa i përket mbulimit dhe sigurisë së furnizimit,” thotë ministria e energjetikës.
Sipas ministrisë shteti i vendit ka rezerva të të gjitha llojeve të derivateve të naftës: Eurodiesel – 138,877,053 litra; Eurosuper BS-95 – 32,098,680 litra: Vaj ekstra i lehtë shtëpiak (EL-1) – 10,772,342 litra dhe Vaj karburanti M-1 NS – 5,287,794 kilogram.
