Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot Ditën e Hapur për aplikimet për vizë të studentëve të huaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit.
Në takim morën pjesë mbi 30 përfaqësues nga rreth 15 universitete publike dhe private. Diskutimet krijuan një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi për problematikat që lidhen me vizat dhe lejet e qëndrimit të studentëve ndërkombëtarë, si dhe për përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe universiteteve.
Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-së, Armand Skapi, theksoi se synimi është që Shqipëria të bëhet më tërheqëse për studentët ndërkombëtarë, jo përmes uljes së standardeve, por duke shmangur pengesat e panevojshme administrative, duke qartësuar procedurat dhe duke përcaktuar përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë.
Trajtimi i aplikimeve të studentëve të huaj kërkon një qasje që ndërthur mikpritjen dhe respektimin e të drejtave të tyre me kërkesat e sigurisë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Në këtë drejtim, universitetet luajnë një rol të rëndësishëm në përcjelljen e informacionit të saktë, komunikimin me studentët dhe ndjekjen korrekte të procedurave.
Gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e universiteteve për ndërkombëtarizimin dhe diversifikimin e ofertës akademike. Vetëm gjatë vitit 2026, rreth 800 studentë të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri. Kjo shifër dëshmon interesin në rritje për institucionet shqiptare të arsimit të lartë, por edhe nevojën për procedura më të koordinuara, të sigurta dhe të parashikueshme.
Takimi rikonfirmoi mbështetjen e institucioneve shtetërore për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe për krijimin e një mjedisi më mikpritës për studentët e huaj, në përputhje me standardet që Shqipëria synon të përmbushë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
MEPJ do ta vijojë dialogun me universitetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që studentët ndërkombëtarë që zgjedhin Shqipërinë të gjejnë procedura të qarta dhe të drejta, një administratë më bashkëpunuese dhe një sistem të besueshëm e të përgjegjshëm.
