Mësimi me korrespondencë, ende i bllokuar: Ndalesa për shkollat e mesme të mjekësisë vazhdon

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 tetor Zhurnal.mk – Ndalesa për ndjekjen e mësimit me korrespondencë në shkollat e mesme të mjekësisë vazhdon, ndërsa Ministria e Arsimit nuk planifikon ta heqë.

Sipas Vaska Bajramovska-Mustafës, sekretare shtetërore te Avokati i Popullit, masa nuk përbën në vetvete shkelje të së drejtës për arsim, por duhet të rishqyrtohet nëse arsyet për vendosjen e saj vazhdojnë të ekzistojnë dhe nëse janë ndërmarrë masa për tejkalimin e problemeve.

“Por, sërish po e ritheksoj se Ministria e Arsimit që e merr këtë vendim ka për obligim dhe duhet të bëj analizë që t’i vërtetojë arsyet, ta vërtetojë bazën respektivisht nevojën nëse arsyet që kanë sjellë këtë vendim janë ende prezente kjo në aspekt të faktit se masa që është marrë para 3 viteve ende vazhdon ndërsa ishe paraparë të vlejë për periudhë të caktuar”, deklaroi këshilltarja shtetërore Vaska Bajramovska Mustafa.

Ky vendim në vitin 2023 u arsyetua edhe me synimin për të parandaluar largimin e personelit shëndetësor jashtë vendit. Megjithatë, ndikimi i kësaj mase ende nuk mund të vlerësohet.

Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Driton Sulejmani, duhet të përfundojë një cikël i plotë mësimor për të parë nëse masa ka ndikuar në rritjen e kuadrit shëndetësor në vend, duke theksuar se prioritet mbetet cilësia e tij.

“Nuk është arsyeja e vetme e ikjes së të rinjëve kjo çështje, është një ndër, çështja e punësimit, e shkollimit e kështu me radhë. Edhe qeveria po edhe Ministria e Arsimit në vazhdimësi prodhon politika që kanë për qëllim t’i mbajë të rinjtë këtu. Gjithsesi ne si ministri, dhe si shtet nuk jemi të interesuar që të prodhojmë kuadro të cilat në të ardhmen do ta lëshojnë vendin po jemi të interesuar të prodhojmë kuadro kualitativ, të cilët pastaj do të japin kontributin në vendin tonë”, u shpreh zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Praktikat e vendeve të rajonit tregojnë se në disa sisteme arsimore lejohet shkollimi me korrespondencë në shkollat e mesme, veçanërisht për personat që synojnë rikualifikim profesional ose fitimin e një kualifikimi të ri për të përmirësuar perspektivat e tyre të punësimit.

Në dallim nga këto praktika, në Maqedoninë e Veriut ndalesa e vendosur në vitin 2023 prek më së shumti këtë kategori personash, duke qenë se sipas të dhënave të shkollave të mesme kërkesat vijnë nga persona të rritur dhe jo nxënës që regjistrohen për herë të parë.

artikuj të ndërlidhura