Shkup, 4 korrik Zhurnal.mk – Kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rolin e SHBA-së në mbështetjen e proceseve demokratike dhe euroatlantike të vendit.
Përmes një mesazhi urimi, Gashi shprehu urimet e tij për popullin amerikan dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara. “Me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpreh urimet e mia më të përzemërta popullit amerikan dhe institucioneve të tij, duke u dëshiruar paqe, përparim dhe mirëqenie”, theksoi Gashi.
Ai nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i vlerëson lart raportet me SHBA-në, duke i cilësuar ato si një miqësi të qëndrueshme dhe partneritet strategjik. “Mbështetja e vazhdueshme amerikane për zhvillimin tonë demokratik, integrimin euroatlantik dhe stabilitetin rajonal mbetet me rëndësi të veçantë”, deklaroi ai.
Gashi u shpreh i bindur se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet edhe më tej.
“Jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të forcohet edhe më tej, në shërbim të paqes, sigurisë, prosperitetit dhe vlerave tona të përbashkëta”, thuhet në mesazhin e tij.
“Ka kombe që e shkruajnë historinë e tyre. Ka të tjera që, duke e shkruar historinë e tyre, ndryshojnë edhe historinë e botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përkasin kësaj të dytës”, ka shkruar bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në urimin e tij me rastin e 250 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mexhiti vlerëson se shpallja e pavarësisë amerikane para 250 vjetëve nuk ndryshoi vetëm fatin e një populli, por edhe mënyrën se si njerëzimi e kupton lirinë, duke theksuar se SHBA-ja është shndërruar në një simbol shprese për të gjithë ata që besojnë se liria është e drejtë dhe jo privilegj.
Mexhiti gjithashtu ka rikujtuar edhe mbështetjen që Amerika u ka dhënë shqiptarëve në momentet vendimtare të historisë kombëtare, duke theksuar se kjo miqësi nuk matet vetëm me marrëdhënie diplomatike, por me kujtesë, besim dhe mirënjohje.
Në fund të mesazhit të tij, Mexhiti ka uruar popullin amerikan për jubileun e madh, duke e cilësuar SHBA-në si një vend që prej dy shekujsh e gjysmë vazhdon të mbajë të ndezur pishtarin e lirisë dhe idealeve demokratike.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot i ka dërguar urime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë.
“Urime të sinqeta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë. Miqësia jonë, partneriteti strategjik dhe aleanca vazhdojnë të forcohen mbi bazën e vlerave të përbashkëta dhe besimit të ndërsjellë”, theksoi Mucunski në urimin e publikuar në Fejsbuk.
Mucunski theksoi se, si aleatë në NATO, mbetemi të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, siguri, energjetikë, tregti dhe investime.
“Jam i bindur se ky partneritet do të vazhdojë të zhvillohet edhe në vitet që vijnë”, shtoi kreu i diplomacisë.
