Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në manifestimin e organizuar në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, ku u shënua njëkohësisht 28 Nëntori, Dita e Flamurit, dhe Dita e Shkollës.
Mexhiti theksoi se emri i Ismail Qemalit është i pandashëm nga historia e 28 Nëntorit, duke kujtuar rolin e tij si njeriu që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Sipas tij, kremtimi i dyfishtë në shkollën që mban emrin e një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare i dha një dimension të veçantë festës, duke bashkuar simbolikën e ditës kombëtare me krenarinë për institucionin arsimor.
“Pa emrin e Ismail Qemalit, historia e 28 Nëntorit nuk mund të tregohet. Njeriu që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 1912, sot nderohet edhe përmes emrit që mban një nga shkollat e Çairit”, theksoi Mexhiti.
Ai vlerësoi përkushtimin e drejtorisë, mësimdhënësve dhe nxënësve në organizimin e manifestimit, duke nënvizuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, traditës dhe vlerave shqiptare te brezat e rinj.
Mexhiti shprehu mirënjohje të veçantë për drejtoreshën Teuta Imeri, stafin arsimor dhe nxënësit për angazhimin e treguar, ndërsa shkollës “Ismail Qemali” i uroi Ditën e Shkollës.
“Uroj që kjo shkollë të vazhdojë të jetë vatër e dijes, edukimit dhe kultivimit të vlerave tona kombëtare”, tha Mexhiti.
