Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Partia DOM vlerëson se rritja e vazhdueshme e çmimeve po e rëndon gjithnjë e më shumë standardin jetësor të qytetarëve, duke theksuar se shporta sindikale e nëntorit ka arritur në 70.827 denarë, që paraqet një rritje mujore prej 469 denarësh dhe 4.414 denarë më shumë krahasuar me fillimin e vitit.
Sipas partisë, edhe shporta mesatare e konsumit e përllogaritur nga Qeveria ka shënuar rritje në tetor, duke u shtuar për 942 denarë ose 1,6 për qind dhe duke arritur në 59.149 denarë. Nga DOM theksojnë se goditja më e madhe është regjistruar te produktet ushqimore, perimet, frutat, strehimi, energjia elektrike dhe ngrohja.
“Në kohën kur të dyja shportat vazhdojnë të rriten, Ministria e Ekonomisë dhe Punës na bind se çmimet ndodhen në një ‘stabilitet relativ të tregut’ dhe se ‘jemi më të mirët’. Për çfarë stabiliteti flet Qeveria kur qytetarët çdo muaj paguajnë fatura më të larta dhe luftojnë për të mbijetuar nga një paga në tjetrën?”, thuhet në reagimin e DOM-it.
Nga partia theksojnë se për qytetarët inflacioni nuk është një tregues statistikor për t’u përdorur në konferenca për shtyp, por nënkupton më pak ushqim në tryezë, shtyrje të pagesave, heqje dorë nga nevoja bazë dhe pasiguri nëse paga do të mjaftojë deri në fund të muajit.
DOM vlerëson se paga minimale nuk i mbulon më as shpenzimet bazë, ndërsa rritja e pagave nuk po arrin ta ndjekë ritmin e rritjes së kostos së jetesës, qoftë sipas shportës qeveritare apo asaj sindikale.
Partia kërkon masa urgjente dhe sistematike, duke propozuar mbrojtjen e pagave reale dhe mbështetje financiare të synuar për familjet me të ardhura më të ulëta dhe pensionistët, kontroll më efektiv të tregut dhe sanksione të rrepta ndaj abuzimeve me çmimet e produkteve bazë ushqimore, mbështetje më të madhe për prodhimin vendor të ushqimit, si dhe subvencione të përshpejtuara për efikasitet energjetik dhe burime të ripërtëritshme të energjisë në amvisëri.
“Qytetarëve nuk u duhen vetëlavdërime qeveritare, por zgjidhje konkrete. Qeveria duhet të ndalojë së fshehuri pas krahasimeve statistikore dhe të përgjigjet qartë se kur dhe me çfarë masash do ta ndalojë rënien e standardit jetësor dhe do të sigurojë që pagat të rriten më shpejt se shpenzimet e jetesës”, theksojnë nga DOM.

