Shkup, 17 qershor Zhurnal.mk – Kryerari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka takuar sot kampionin e ri Abdulaziz Azizi, i cili së fundmi fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në kategorinë U15.
Mexhiti e vlerësoi suksesin e sportistit të ri si dëshmi se talenti ekziston kudo, por se për t’u shndërruar në kampion nevojiten punë, sakrificë dhe mbështetje institucionale.
“Sot kisha kënaqësinë të takoj kampionin Abdulaziz Azizi, i cili rrëmbeu medaljen e bronztë në Evropë. Abdulazizi dhe sportistët tjerë si ai na tregojnë se talenti lind kudo, por kampionët krijohen kur puna, sakrifica dhe mundësia takohen në të njëjtin vend”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai theksoi se sukseset e të rinjve në arenën ndërkombëtare dëshmojnë se investimet në sport nuk janë shpenzime, por investime strategjike për të ardhmen e vendit.
“Kur sheh të rinj që ngjiten në podiume evropiane, e kupton se investimi në sport nuk është shpenzim. Është investim në emrin që një ditë e përfaqëson vendin tonë jashtë kufijve”, u shpreh ai.
Mexhiti shtoi se çdo terren sportiv, sallë e rinovuar dhe projekt sportiv që realizohet në Çair ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja.
“Qëllimi ynë është t’u japim fëmijëve dhe të rinjve mundësinë që ëndrrat e tyre të mos mbeten vetëm ëndrra, por nesër të jenë kampionët për të cilët do të flasim me krenari”, theksoi Mexhiti.
https://www.facebook.com/share/p/1DsXBEXk8h/
