Mexhiti: Zbulimi i hershëm shpëton jetë, ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit duhet të arrijë në çdo familje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në një aktivitet edukativ dhe ndërgjegjësues të organizuar në shkollën fillore “Ismail Qemali”, së bashku me Dr. Ilir Ismailin, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës.

Aktiviteti u përqendrua në rëndësinë e informimit, ndërgjegjësimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar rolin e edukimit shëndetësor dhe të kontrolleve të rregullta në mbrojtjen e shëndetit. Përmes bashkëbisedimit me të pranishmit, u përcoll mesazhi se kujdesi për shëndetin dhe informimi i vazhdueshëm janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë.

“Tetori Rozë është një kujtesë e rëndësishme se lufta kundër kancerit të gjirit kërkon ndërgjegjësim, solidaritet dhe veprim të vazhdueshëm. Sot, së bashku me Dr. Ilir Ismailin, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës ‘Ismail Qemali’, biseduam për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta. Si Komunë e Çairit, do të vazhdojmë të mbështesim nisma që promovojnë edukimin shëndetësor dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Synimi ynë është që ky mesazh të arrijë në çdo familje, sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë”, deklaroi Mexhiti.

Komuna e Çairit do të vijojë mbështetjen e aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe profesionistët shëndetësorë, me qëllim promovimin e kulturës së kujdesit parandalues, informimit dhe përgjegjësisë ndaj shëndetit publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër