Mickoski i përgjigjet Filipçes: Edhe në kohën tuaj kishte ujë të kontaminuar, nuk u ndërmor asgjë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se situata me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar po përmirësohet dhe shprehu pritjen që qytetarët brenda pak ditësh të kenë në dispozicion ujë të sigurt për pije.

Komentet e tij u bënë gjatë seancës parlamentare, në kuadër të pyetjes së deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me gjendjen e krijuar në Gostivar.

Në përgjigjen e tij, Mickoski iu referua periudhës kur Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, duke paraqitur raporte të Qendrës për Shëndet Publik në Prilep nga fillimi i vitit 2019.

Sipas kryeministrit, raportet për periudhën 1–28 shkurt dhe 1–31 mars 2019, që përfshijnë Prilepin, Krushevën dhe Makedonski Brodin, kanë konstatuar parregullsi bakteriologjike dhe fiziko-kimike në mostrat e ujit, ndërsa, sipas tij, nuk janë ndërmarrë masa.

“Jo vetëm që gjatë asaj periudhe digjeshin spitalet modulare, por si mjek nuk iu përmbajtët betimit. Lejuat që qytetarët të konsumonin ujë i cili, së paku, paraqiste rrezik për shëndetin e tyre”, deklaroi Mickoski, duke iu drejtuar Filipçes.

Kryeministri shtoi se sipas të dhënave të fundit, numri i mostrave të papërshtatshme të ujit në Gostivar është në rënie dhe se pret që shumë shpejt qytetarët të kenë ujë të pijshëm që i plotëson standardet.

Njëkohësisht, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të shqyrtojë jo vetëm rastin aktual në Gostivar, por edhe gjetjet e raporteve të mëparshme për cilësinë e ujit, të cilat, sipas tij, nuk janë trajtuar nga institucionet kompetente.

artikuj të ndërlidhura