Mickoski: Karburantet në Maqedoni janë bindshëm më të lirat në Evropë

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 shtator, Zhurnal.mk – Në Ditarin qendror të RTM-së ishte mysafir kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Hristijan Mickoski, i cili theksoi se në kushte të krizës globale energjetike, çmimet e karburanteve në Maqedoni janë bindshëm më të ulëtat në Evropë, me ç’rast, sipas tij, masat qeveritare dukshëm e zvogëlojnë goditjen mbi standardin e qytetarëve.

“Në momentin në botë po ndodh kriza më e madhe energjetike të cilën njerëzimi nuk e mban mend, në këto kushte çmimi që e kanë karburantet në Maqedoni është më i ulëti në Evropë, kur themi më i ulëti, është bindshëm më i ulëti në Evropë. Nëse bëhet krahasim me fqinjësinë, me Greqinë, me Shqipërinë, me Serbinë fqinje, ose nëse shkojmë më në veri drejt BeH-së, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë e kështu me radhë, do të shihni se çmimi i karburanteve te ne është nga 20 deri në 50% më i lirë, i krahasuar me atë që është në fqinjësi”, tha Mickoski.

Kryeministri Mickoski në paraqitjen e tij theksoi se pa masat qeveritare, karburanti i dizelit do të ishte më i shtrenjtë për 11 deri në 11,5 denarë për litër. Duke theksuar se kjo do të thotë kursim i drejtpërdrejtë prej më shumë se 250 mijë eurosh në ditë për qytetarët.

“Do t’ju jap një përllogaritje, ja për shembull për karburantin dizel. Karburanti dizel, po të mos ishin këto masa të Qeverisë, do të ishte më i shtrenjtë për 11 deri në 11,5 denarë për litër. Çfarë do të thotë kjo në para? Kjo do të thotë më shumë se 250 mijë euro në ditë, aq është kursimi me masat e Qeverisë që e bëjnë qytetarët; kur flas për kursim, flas për kursimin e drejtpërdrejtë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanëshe, atëherë do të arrijmë në më shumë se 300 mijë euro kursim të drejtpërdrejtë në ditë për qytetarët“, theksoi Mickoski.

Mickoski vlerësoi se çmimet më të ulëta të karburanteve kanë efekt edhe mbi inflacionin, sepse zvogëlohen shpenzimet në të gjithë zinxhirin ekonomik.

“Kjo më tej në zinxhir nënkupton nivel të ulët të inflacionit, ndërsa ai nivel i ulët i inflacionit është ndër më të ulëtit në Evropë, për korrikun dhe për gushtin, dhe është në kuadër të 2 dhe 3%, diçka që sot paraqet inflacion natyror nga ato porosi që i dërgojnë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”, thotë Mickoski.

Sipas kryetarit të Qeverisë, Mickoski, masat qeveritare në dy javët e ardhshme do të sigurojnë kursim të drejtpërdrejtë në buxhetin e qytetarëve prej 4 deri në 4,5 milionë eurosh, duke shtuar se vendi ka rezerva të mjaftueshme dhe furnizim të qëndrueshëm me karburant.

„Kështu që, atë që po bën Qeveria në këtë moment, gjatë dy javëve të ardhshme, do të nënkuptojë kursim të drejtpërdrejtë në buxhetin e qytetarëve prej 4 deri në 4,5 milionë euro. Do ta ndjekim situatën. Me rezerva jemi të furnizuar mjaftueshëm, tubacioni për transportimin e derivateve të naftës, i cili lidh portin e Selanikut me rafinerinë, është plot. Nuk kemi vendosur ndalim për eksport. Një pjesë e aeroporteve në rajon furnizohen me kerozinë nga tregtarët tanë, ndërsa tregtarët tanë furnizojnë pjesërisht edhe vendet fqinje“, theksoi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër