Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi për mandatin e ri qeverisës, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Zyra e shtypit e kryeministrit të Kosovës publikoi sot mesazhin e urimit të kryeministrit Rama, ku riafirmohet gatishmëria e qeverisë së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm.
“Mandati Juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses. Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejt Shtëpisë së Përbashkët Evropiane. Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkruan mes tjerash kryeministri Rama.
Duke uruar përparim të gjithanshëm të Kosovës, kryeministri Rama ftoi kryeministrin Kurti për vizitë në Republikën e Shqipërisë.
Kuvendi i Kosovës votoi të dielën e 13 shtatorit Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
