Mickoski: Kjo qeveri për 2 vite arriti ta rrisë PBB-në nominale për 140 milionë dollarë më shumë sesa LSDM për 6 vite

Nga I.A
985 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme për pyetje deputetësh në Kuvend i hodhi poshtë kritikat e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me borxhin publik, duke vlerësuar se Qeveria aktuale ka arritur rezultate më të mira ekonomike me një nivel dukshëm më të ulët të huamarrjes.

Sipas Mickoskit, krahasimi mes treguesve ekonomikë nga periudha e qeverisjes së LSDM-së dhe asaj të Qeverisë aktuale tregon se me tre herë më pak huamarrje dhe në një periudhë tre herë më të shkurtër është realizuar rritje më e lartë e produktit të brendshëm bruto nominal. “Kur flisni për borxhin publik, duhet të shihni edhe çfarë ka ndodhur me PBB-në nominale. Në periudhën 2018–2023 borxhi publik është rritur nga 4,78 në 8,47 miliardë euro, pra për 3,69 miliardë euro. Në dy vitet e fundit, sipas llogaritjeve tuaja, borxhi është rritur për rreth 1,38 miliardë euro, që është gati tre herë më pak”, tha Mickoski.

Duke u mbështetur në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryeministri theksoi se gjatë qeverisjes së LSDM-së PBB-ja nominale është rritur për 4,52 miliardë dollarë, ndërsa në periudhën e Qeverisë aktuale, sipas tij, është rritur për 4,66 miliardë dollarë.

“Kjo do të thotë se kjo Qeveri për dy vite ka arritur ta rrisë PBB-në nominale për 140 milionë dollarë më shumë sesa u bë në gjashtë vitet e mëparshme, dhe këtë me një huamarrje dukshëm më të vogël”, theksoi Mickoski.

Ai vlerësoi se rezultatet ekonomike të Qeverisë aktuale tregojnë menaxhim më efikas të financave publike dhe shtoi se në një periudhë tre herë më të shkurtër është realizuar rritje e ekonomisë me një rritje tre herë më të vogël të borxhit publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër