Mickoski: Raportoni korrupsionin, kemi treguar dhe dëshmuar se jemi të aftë të bëjmë reforma

Nga D V
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për podkastin “Rishtazi”, njoftoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një organizatë të njohur ndërkombëtare joqeveritare, së shpejti do të hapet linja “Raporto korrupsionin”, ku qytetarët që u është kërkuar ryshfet do të mund të paraqesin rastet.

Ai theksoi se Qeveria ka dëshmuar se është e gatshme dhe e aftë të realizojë reforma, gjë që – siç tha – është reflektuar në raportin e dhjetorit të Agjendës së Reformave dhe do të konfirmohet edhe në raportin e qershorit, i dorëzuar më 15 korrik në Bashkimin Evropian.

Mickoski theksoi se çdo reformë varet nga njerëzit që e zbatojnë:

„Sistemin, standardin, reformat i bëjnë njerëzit. Mund të shkruani reforma brilante në letër, mund të kalojnë në Qeveri dhe në Parlament, por nëse nuk ka kush t’i zbatojë, gjithçka bie poshtë. Nëse nuk e kuptojmë se ndryshimi nis nga vetja, atëherë çdo reformë mbetet vetëm tekst.“

Duke folur për perceptimin e korrupsionit, ai ndau rezultatet e një ankete të realizuar nga një shtëpi e njohur hulumtuese për një institucion ndërkombëtar:

„Kur pyeten qytetarët nëse ka korrupsion në institucionet lokale apo shtetërore, 80% thonë po. Por kur pyeten nëse vetë kanë qenë viktimë e korrupsionit ose njohin dikë, në nivel lokal janë më pak se 5%, ndërsa në nivel qendror më pak se 3%. Pra, perceptimi është krijuar, por funksionimi real i sistemit është tjetër.“

Ai njoftoi se nga muaji gusht pritet të funksionojë linja e re për raportimin e korrupsionit, e menaxhuar nga organizata ndërkombëtare joqeveritare, e cila do të shoqërohet me njoftime dhe ngjitëse informuese në të gjitha institucionet lokale dhe shtetërore.

„Nëse njerëzit kanë krijuar një perceptim të tillë dhe nuk kanë besim në institucione, atëherë le të jetë kjo linjë një mekanizëm i jashtëm që ata e besojnë, ndërsa ne do ta mbështesim. Nëse raportoni korrupsion, ne mund të veprojmë. Nëse heshtni, nuk mund të ndërhyjmë“, tha Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër