Qafë Thanë, 22 nëntor Zhurnal.mk – “Për mua është një nder i madh që miku dhe kolegu im i dashur, kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, është sot këtu me mua.
Dëshiroj që në fillim të këtij aktiviteti të rëndësishëm të sotëm për të dyja vendet, t’u përcjell bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por edhe në përgjithësi të gjithë shqiptarëve, urimet për Ditën e Alfabetit Shqip – një ditë e cila për një shtet multietnik siç është yni ka rëndësi të madhe dhe i jep vlerë kohezionit që kemi në shoqërinë tonë. Qoftë e uruar kjo ditë dhe qoftë e mbushur me shumë suksese e të mira.
Tani dëshiroj të them disa fjalë për vetë aktivitetin e sotëm. Për ne është kënaqësi që mund të fillojmë këtë mënyrë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, pasi sistemi “One Stop Shop” do ta lehtësojë transportin e udhëtarëve. Siç e dëgjuat, disa milionë udhëtarë e kalojnë çdo vit këtë pikë kufitare, ndërsa kjo mënyrë e re do t’i afrojë edhe më shumë dy vendet tona, Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat tashmë janë të afërta.
Pres që kjo mënyrë komunikimi të vazhdojë edhe në vendkalimet e tjera kufitare që kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, dhe në këtë mënyrë t’i forcojmë edhe më shumë lidhjet ndërmjet qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, siç u tha edhe në pjesën hyrëse të prezantimit, ku u shpjegua mënyra se si do të funksionojë i gjithë procesi, sistemi “One Stop Shop” do të sjellë vlera shtesë edhe në drejtim të rritjes së turizmit dhe potencialit turistik që kanë të dyja vendet. Kur flas për të dyja vendet, këtu kam parasysh bregdetin e Liqenit të Ohrit, Ohri dhe Struga, si dhe komunat e tjera përreth, por natyrisht edhe bregdetin e Shqipërisë.
Në fund, dëshiroj të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, kolegët nga Qeveria, punonjësit e MPB-së, doganës dhe të gjithë ata që u përfshinë në realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh mirënjohje të madhe mikut tim të madh, kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, për mbështetjen e tij personale që dha në mënyrë që kjo që po realizojmë sot të bëhet realitet.”

