Mickoski: Vazhdojmë t’i realizojmë prioritetet që i kemi përcaktuar si Qeveri, kështu që kohërat e mira janë para nesh

Nga D. V.
1,613 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, bëri një vlerësim të situatës ekonomike deri më tani dhe të asaj që pritet në periudhën e ardhshme:

„Ne vazhdojmë t’i realizojmë prioritetet që i kemi përcaktuar si Qeveri. Qëllimi ynë strategjik është të arrijmë ta konsolidojmë sistemin ashtu siç mendojmë se duhet të funksionojë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ekonominë maqedonase.

Sa i përket inflacionit, për fat të keq, sërish kemi sfida në rajonin e Gjirit Persik. Përsëri kemi veprime ushtarake me përmasa të mëdha. Dhe përsëri kemi rritje të çmimeve të naftës dhe derivateve të saj në bursat botërore, gjë që, natyrisht, paraqet sfidë për ne si Qeveri. Sot, në mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë, do ta vazhdojmë gjendjen e krizës. Në kuadër të kësaj gjendjeje do t’i ulim akcizat për benzinën pa plumb dhe për naftën. Me çka sadopak do të ndikojmë pozitivisht, do të thoja për qytetarët, e negativisht për çmimin, sepse ai do të ulet. Pres që edhe më tej të vazhdojmë të kemi bindshëm çmimin më të ulët të benzinës dhe të naftës.

Një pjesë e madhe e investimeve që ishin në proces realizimi tashmë kanë filluar të zbatohen. Në muajt në vijim do të kemi mundësi të jemi dëshmitarë të të gjitha këtyre projekteve. Pres që edhe në tremujorin e dytë të kemi një rritje solide të bruto prodhimit vendor, duke pasur parasysh se në muajin prill sektori i ndërtimtarisë shënoi rritje mbi 40% edhe tregtia po ashtu është dyshifrore, ndërsa rritje kemi edhe në turizëm. Praktikisht në të gjithë sektorët, pavarësisht situatës sfiduese.

Do të jetë e vështirë, por nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë. Kemi plan, buxheti po mbushet në mënyrë mjaft të mirë, madje mbi pritjet tona. Kështu që këtë vit do ta mbyllim me likuiditet të qëndrueshëm. Nga opozita pres që të vazhdojnë përpjekjet për përhapjen e të pavërtetave dhe spekulimeve. Thoshin se do të falimentonim në vitin 2024, por nuk ndodhi. Pastaj thanë në vitin 2025. Ja edhe një lajm i keq për opozitën, as këtë vit nuk do të falimentojmë.

Pagat do të rriten në përputhje me marrëveshjet kolektive, në kuadër të ligjit dhe në përputhje me pensionet. Të gjitha detyrimet do të shlyhen ashtu siç është parashikuar sipas Buxhetit. Edhe realizimi i investimeve kapitale zhvillohet sipas planit. E dini se opozita na bindte se në muajin prill migrantët do të endeshin nëpër Maqedoni, ja ku është tani korriku i cili po përfundon dhe nuk kemi migrantë. Edhe kjo doli në dëm të tyre dhe në të mirë të qytetarëve.

Do të duhet këtë folklor dhe estradë ta dëgjojmë nga opozita deri në zgjedhjet e ardhshme, kur qytetarët sërish do t’i ndëshkojnë me votë. Shpresoj që më në fund kjo shoqëri estradash, e cila aktualisht e përfaqëson udhëheqësinë e opozitës, të largohet nga skena politike dhe të vijnë njerëz që do të ndërtojnë një opozitë konstruktive, e cila do të kujdeset për interesat kombëtare dhe do të bashkëpunojë me Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për ndërtimin e qëndrimeve kombëtare si opozitë.

Kështu që besoj se vitet e mira dhe periudha kur do t’i ndiejmë të gjitha këto rezultate, janë ende përpara nesh. Pres që më në fund të fillojë ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10. Në të njëjtën kohë do të ndërtohen gjashtë autostrada, ndërsa njëra prej tyre po përfundon. Kështu që kemi një realizim vërtet të madh të prioriteteve tona edhe në periudhën që vijon.

Unë personalisht, së bashku me ministritë përkatëse, ministrat dhe anëtarët e Qeverisë, i ndjek nga afër këto projekte, kështu që, kohët e mira janë përpara nesh.“

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër