Miftari konfirmon largimin nga posti i ambasadorit në Vatikan: Pranova dekretin nga Haxhiu

Nga D. V.
578 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 prill, Zhurnal.mk – Ambasadori i Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari ka bërë të ditur se ka pranuar dekretin për lirimin nga detyra, duke konfirmuar përfundimin e mandatit të tij në Vatikan.

Në një postim, Miftari ka theksuar se ky vendim shënon mbylljen e një periudhe dyvjeçare angazhimi diplomatik, të cilën e ka cilësuar si të rëndësishme dhe me sfida.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës! Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan”, ka deklaruar Miftari.

Ai ka theksuar se shërbimi i tij për Kosovën do të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht përfundimit të mandatit diplomatik.

“Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, ka shtuar ai.

Miftari ka vlerësuar se gjatë mandatit të tij janë konsoliduar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë.

“Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”, ka thënë ai.

Ai ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për besimin, institucionet e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin, si dhe qytetarët për mbështetjen.

“Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim”, ka deklaruar Miftari.

Në fund të njoftimit, ai është shprehur i gatshëm për dorëzimin e detyrës tek pasardhësi.

“Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që… të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka përfunduar ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër