Ministri Ferati zhvillon takim me studentët e Fakultetit Juridik të UEJL-së

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor Zhurnal.mk – Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, priti sot një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), me të cilët diskutoi për nevojat dhe sfidat e të rinjve, si dhe për mundësitë e përfshirjes së tyre më aktive në proceset vendimmarrëse dhe në jetën shoqërore.

Gjatë takimit, ministri Ferati prezantoi angazhimet dhe prioritetet e Ministrisë në drejtim të avancimit të përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirjes, duke theksuar se zëri i të rinjve duhet të jetë pjesë e proceseve ku ndërtohen politikat dhe merren vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre.

Ai shprehu gatishmërinë për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe propozimet e studentëve, si dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet që i shqetësojnë ata. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit institucional.

Ministri nënvizoi se përtej arritjeve të deritanishme, sfida e përbashkët mbetet krijimi i mundësive të barabarta, avancimi i cilësisë së arsimit dhe ndërtimi i një shoqërie ku të rinjtë kanë hapësirë dhe mundësi reale për të kontribuar.

Ministri Ferati i inkurajoi studentët që të vazhdojnë me përkushtim studimet dhe të investojnë në zhvillimin e tyre profesional, duke u përgatitur për sfidat e tregut të punës dhe për përgjegjësitë që i presin në profesionet juridike, si juristë, avokatë, noterë, përmbarues, prokurorë dhe gjykatës.

Një ndër çështjet e ngritura nga studentët ishte edhe provimi i jurisprudencës. Ministri Ferati theksoi se kërkesat e tyre meritojnë trajtim serioz dhe konstruktiv, duke siguruar se do të angazhohet për dialog dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për adresimin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër