Ministri Hoxha: Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Tiranë, shtysë e re për bashkëpunimin dypalësh

Nga Xh M
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 2 qershor Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prévot. Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha bëri të ditur se takimi riafirmoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Belgjikës, si dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh. Hoxha vlerësoi vendimin e Belgjikës për të hapur ambasadën e saj në Tiranë, duke e cilësuar atë si një hap konkret që do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi.

“Përshëndeta veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur një ambasadë në Tiranë, një hap konkret dhe shumë i vlerësuar që do t’i japë një ritëm të ri bashkëpunimit tonë. Shprehëm besimin tonë se ky zhvillim i rëndësishëm do të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ekonomike, rritjen e tregtisë dhe investimeve, promovimin e turizmit, avancimin e bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe krijimin e mundësive të reja në një sërë sektorësh”, u shpreh ai. Sipas ministrit, bisedimet u përqendruan gjithashtu te bashkëpunimi në fushat e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe te sfidat e përbashkëta me të cilat përballet Evropa në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Theksova kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Belgjikë, i cili shërben si një urë e vlefshme midis dy vendeve tona dhe luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve njerëzore, kulturore dhe ekonomike. Gjithashtu shpreha vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për zgjerimin, procesin tonë të anëtarësimit në BE. Pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare të suksesshme, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re vendimtare të rrugëtimit të saj, me një fokus të qartë në përmbushjen e reformave të mbetura, avancimin e negociatave dhe lëvizjen e qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Hoxha. Ai shprehu gjithashtu dëshirën për të vijuar dialogun me homologun belg dhe e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri në një kohë sa më të afërt.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër