Ministri Hoxha u takua me drejtuesin e BERZH-it: Përshpejtim i projekteve kyçe të infrastrukturës mjedisore

Nga B.M
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 janar – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkup, z. Fatih Türkmenoğlu, ku u shqyrtuan projektet aktuale dhe të ardhshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës ujore.

Në takim u vu theksi te Projekti Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, i cili realizohet me mbështetje financiare nga BERZH, si dhe te projekti për ndërtimin e Stacionit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për qytetin e Shkupit, një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës mjedisore në vend.

Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e partneritetit me BERZH-in, duke vlerësuar se mbështetja e Bankës ka një rol kyç në vendosjen e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe harmonizimin me standardet evropiane.

Në kuadër të takimit u shqyrtuan gjithashtu aktivitetet në vijim, dinamika e zbatimit, si dhe çështjet e hapura që lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore, me ç’rast u shpreh gatishmëri e përbashkët për tejkalimin e tyre në kohë.

Të dyja palët konfirmuan angazhimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, me fokus në investime të qëndrueshme, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër