Ministri Maqedonci takoi homologun Coaker, Kosova dhe Britania e Madhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Nga D. V.
608 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 7 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Turqi ka takuar ministrin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker.

Maqedonci në një postim në Facebook bën të ditur se homologut britanik i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin e rëndësishëm që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur përgjatë proceseve shtetformuese dhe forcimit të institucioneve të sigurisë e mbrojtjes së Kosovës.

“Diskutuam mbi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, duke vlerësuar partneritetin e deritanishëm në kuadër të misioneve të përbashkëta në Ishujt Falkland dhe Belize, si dhe kontributin në operacionin Interflex.

Në frymën e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona mike dhe aleate, ritheksuam përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë trajnimet, zhvillimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërinë ushtarake, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e ndërkombëtar”, shkruan Maqedonci.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër