Shkup, 07 maj, Zhurnal.mk – Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka lëshuar një thirrje publike drejtuar liderëve të partive politike parlamentare shqiptare për të rifilluar bashkëpunimin ndërmjet subjekteve politike, ose thënë ndryshe të mbahet e ashtuquajtura Tryezë e Përbashkët. Kjo ide edhe pse duket shumë e mirë dhe në interes të shqiptarëve, nuk duhet të keqpërdoret për pikë politike, shkruan “Zhurnal.mk”.
Sela më një këmbë në qeveri, kërkon “Tryezë të përbashkët”!
Ditë më parë kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, reagoi ndaj deklaratave të fundit të njërit prej udhëheqësve të VLEN, Izet Mexhitit, në lidhje me mundësinë e pjesëmarrjes së tij dhe të subjektit të tij politik në Qeveri.
Sela tha se çdo diskutim rreth përfshirjes së mundshme në degën ekzekutive duhet të bazohet në parime të qarta politike dhe kushte specifike. Ai theksoi se për grupin e tij politik, përparësi mbetet zbatimi konsistent i parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, ky është një mekanizëm kyç për sigurimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve jo-shumicë në vend. Sela shtoi se pa përmbushur këtë kusht, nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje për hyrjen në Qeveri.
Por tani kur Sela me partinë e tij përflitet se mund të bëhet pjesë e qeverisë, dilema e propozimit të mbajtjes së një “Tryeze të përbashkët” të partive politike shqiptare është se përse pikërisht tani shtrohet kjo kërkesë.
Sela theksoi nevojën urgjente për koordinim, duke u shprehur se situata aktuale kërkon një komunikim të drejtpërdrejtë mes forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Mbajtja e një “Tryeze të përbashkët” në këto rrethana thuajse është e pa mundur, kur kihet parasysh se ekziston një përçarje e thellë mes dy krahëve politik shqiptarë. Duke e ditur se sa e vështirë të mbahet ky takim, Sela në këtë mënyrë po mundohet të marrë “OK” nga elektorati që të bëhet pjesë e qeverisë.
“Tryeza e përbashkët” duhet të jetë një mekanizëm funksional dhe mos të keqpërdoret
“Tryeza e përbashkët” duhet të jetë një mekanizëm funksional dhe i përsëritur për të unifikuar qëndrimet e politikës shiptare në Maqedoninë e Veriut. Në të kaluarën ka pasur nisma të tilla, ndër ta është edhe takimi në Tiranë me kryeministrin Edi Rama.
Në vitin 2017 partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut me ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama u mblodhën në Tiranë dhe nënshkruan një marrëveshje ose dokument të përbashkët, ku pikat kryesore ku u morën vesh partitë shqiptare ishin arritja e barazisë së plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë territorin e shtetit, zgjidhja e çështjeve të hapura që prekin shqiptarët dhe përshpejtimi i integrimit të vendit në NATO dhe BE.
Kjo platformë u krijua për të kushtëzuar formimin e qeverisë së re në atë kohë dhe për të forcuar pozitat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Politikanët maqedonas dhe presidenti i atëhershëm Ivanov tha se “platforma e Tiranës” është një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut.
Fatkeqësisht më shumë këto momente janë shfrytëzuar për përfitime të pikëve politike se sa me të vërtetë janë mbajtur premtimet për të cilat janë dakordësuar partitë politike shqiptare.
Ky mekanizëm, i quajtur “Tryeza e përbashkët” e partive politike shqiptare nuk duhet të bëhet si në të kaluarën me kamera e pompozitet medial, sepse atëherë vetëm se po e humb kuptimin. Por më e rëndësishmja është që ky mekanizëm të funksionojë dhe nga aty të dalin konkluzione të fuqishme që në të ardhmen duhet të zbatohen.
Editorial / “Tryeza e përbashkët” të jetë një mekanizëm funksional, mos të keqpërdoret!
482
Artikulli i mëparshëm
