Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s sepse nuk është shtet anëtar

Nga D. V.
1,196 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 qershor, Zhurnal.mk – Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në samite në cilësinë e anëtares, raporton Ekonomia Online.

Sqarimi vjen pas raportimeve në media se Kosova nuk është ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s.

Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se edhe në rastet e mëparshme Kosova nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s.

“Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online.

Sipas Ministrisë edhe në të kaluarën Kosova nuk ka marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës, por se ftesat kanë qenë për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit.

“Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, thuhet më tutje në përgjigje.

Ministria ka sqaruar se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.

“Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta. Prandaj, theksojmë se Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës’, thuhet në përgjigje.

Sipas Ministrisë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

“Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër