Shkup, 18 shkurt – Në emisionin “Vetëm e vërteta” në Kanal 5, e ftuar ishte Maria Miteva, anëtare e IK-së së VMRO-DPMNE-së, e cila debatoi për shumë tema aktuale, ndër të cilat edhe për, sipas saj, plasimin e të pavërtetave dhe manipulimeve nga ana e LSDM-së lidhur me përdorimin e avionit qeveritar. Ajo theksoi se përdorimi ka qenë në përputhje me rregulloren për punën e Qeverisë dhe se nuk ka pasur keqpërdorim të mjetit ajror shtetëror. Njëkohësisht, ajo nënvizoi se Qeveria angazhohet për politika që sigurojnë stabilitet, parashikueshmëri dhe përparim ekonomik.
“SDS shërbehen me manipulime dhe të pavërteta në publik, me shpërndarje ‘pendësh’ që nuk sjellin absolutisht asgjë. Nëse do ta kishte ndjekur konferencën për shtyp, do t’i dinte arsyet, pse dhe si është përdorur avioni qeveritar, dhe se i njëjti është përdorur në përputhje me rregulloren për punën e Qeverisë. Këto janë të gjitha të pavërteta shumë të mëdha që vazhdimisht i dëgjojmë nga SDS, të cilat mund t’i shohim në konferencat e tyre të përditshme për shtyp, por publiku është mjaftueshëm i mençur për të nxjerrë përfundime pse Qeveria sjell politika të caktuara, angazhohet për politika që nënkuptojnë parashikueshmëri, stabilitet për shtetin dhe përparim ekonomik, dhe do të vazhdojmë në atë drejtim, ndërsa shpresoj se opozita do të reformohet realisht. Absolutisht mund të them se nuk ka asnjë keqpërdorim të avionit shtetëror”, tha Miteva.
Në emision, Miteva i drejtoi kritika të ashpra Andrej Zhernovskit për heshtjen e opozitës lidhur me rastin e marihuanës së sekuestruar, duke theksuar se pikërisht përgjigjet se kush është pronari dhe cila është kompania duhet të jepen nga ana e tyre.
“Ne japim shumë përgjigje, por disi nga ana juaj dëgjojmë heshtje. Deri ku çojnë ato 5, jo 7, por 40 tonë marihuanë, kush është pronari, cila është kompania, kryetar i cilit bord komunal ka qenë, e kështu me radhë — përgjigjet duhet të vijnë nga pala tjetër. Sepse kur hapen shumë pyetje që në të kaluarën e kanë krijuar atë ‘ujë të turbullt’, ndërsa ju sot përpiqeni të peshkoni në atë ujë të turbullt, ajo taktikë nuk funksionon. Duhet të jemi koncizë dhe konkretë kur i themi gjërat; ka fakte, ka institucione, ka të dhëna që me kalimin e kohës dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe”, u shpreh Miteva.
