Tetovë, 24 tetor Zhurnal.mk – Për dallim nga vitet e shkuara sivjet prodhimi i mollëve është shtuar, por çmimi blerës është tejet i ulët. Kultivuesit thonë se kostoja e prodhimit është tejet e lartë ndërsa depërtimi në treg është shumë i vështirë. Amet Ismaili nga Sellarca e Tetovës, i cili me vite të tëra merret me kultivimin e mollëve thotë se vendi ka më shumë mollë se sa i nevojitet.
“Ky ka qenë viti më cilësor sepse temperaturat e verës ishin të më të ngrohta dhe nuk pati dështime. Pra ka kuantitet më shumë se sa vitet tjera. Tregu në Maqedoni është i vështirë sepse kur ka prodhim ka shumë mollë dhe nuk eksportohet dhe bëhet problem, sepse Maqedonia ka më tepër mollë se sa i nevojitet, dhe me automatizëm bie çmimi, pra është shumë i dobët dhe nuk ke llogari ta shesësh sepse kostoja e prodhimit është më e lartë se sa që merren momentalisht në treg”. – Amet Ismaili, kultivues i mollëve.
Sipas Ismailit, problem në vendin tonë vazhdon të mbetet mungesa e depove për ruajtjen e mollëve. Kërkon nga shteti që të investojë në këtë drejtim.
“Depot ku duhet të ruhen mollët mungojnë në vendin tonë, andaj apeloj Ministrinë e Bujqësisë që më shumë të investoj në këtë drejtim dhe në paketimin e mollëve se ka nevojë vendi”. Deklaroi Amet Ismaili, Kultivues i mollëve.
Si pasojë e mungesës së blerjes me shumicë, shumë mollë kalben. Për këtë arsye dhe për shkak të çmimit të ulët blerës, shumica heqin dorë nga kultivimi i mollëve.
