Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska‑Davkova, në një ceremoni solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, priti Droupadi Murmu, presidenten e Republikës së Indisë, në vizitën e saj të parë zyrtare në vend.
Pas takimit tet‑a‑tet, u mbajt seanca plenare e delegacionit maqedonas dhe atij indian. Bisedimet u fokusuan në marrëdhëniet aktuale maqedono‑indiane, me theks të veçantë në mundësitë për bashkëpunim në ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, turizëm, shëndetësi dhe transformim digjital.
Dy bashkëbisedueset shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet globale, duke theksuar nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Presidentja Siljanovska‑Davkova vlerësoi se vizita përbën hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo theksoi se trashëgimia e përbashkët humane e Nënë Terezës, si dhe përvoja nga Lëvizja e të Painkuarve, përbëjnë themele të forta për një epokë të re në marrëdhëniet maqedono‑indiane. Sipas saj, pozita gjeostrategjike e Maqedonisë së Veriut, korridoret infrastrukturore dhe qasja e lehtë në tregun evropian mund të jenë veçanërisht tërheqëse për investitorët indianë.
Presidentja Murmu e vlerësoi vizitën e saj të parë në vend si moment historik, duke shprehur gatishmëri për një dinamikë të re në partneritetin e gjithanshëm mes dy popujve. Sipas të dy presidenteve, dialogu politik dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë parakushte për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme.
