Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, i është kundërpërgjigjur të hënën politikanit francez Jean-Luc Mélenchon, pasi ky i fundit deklaroi se banorët ukrainas të Donbasit duhet të konsultohen për të ardhmen e tyre në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Kreu i partisë së majtë franceze “Franca e Papërkulur” kishte deklaruar se çdo marrëveshje që parashikon lëshime territoriale nga Ukraina duhet të marrë fillimisht pëlqimin e popullsisë së prekur.
“Nuk mund ta pranojmë idenë e një marrëveshjeje paqeje që përfshin lëshime territoriale në Ukrainë pa kërkuar më parë pëlqimin e popullatave të prekura për të jetuar në të dyja anët e kufirit”, u shpreh Mélenchon.
Ai theksoi gjithashtu se partia e tij nuk dëshiron që diskutimet për paqen në Ukrainë të drejtohen nga udhëheqësit evropianë.
Deklaratat e politikanit francez vijnë në një kohë kur Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të marrin pjesë në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, së bashku me një ekip të përbashkët të Bashkimit Evropian.
Në reagimin e tij në platformën X, Tykhyi kujtoi referendumin e vitit 1991, përmes të cilit ukrainasit votuan për pavarësinë e vendit, duke argumentuar se çështja e kufijve të Ukrainës është vendosur tashmë nga vetë populli ukrainas.
Sipas tij, Rusia ka zgjedhur të shpërfillë vullnetin e shprehur nga ukrainasit përmes pushtimit ushtarak.
Zëdhënësi i diplomacisë ukrainase theksoi gjithashtu se referendumet e organizuara nën pushtimin rus nuk mund të konsiderohen shprehje e lirë e vullnetit të popullsisë.
“Referendumet” nën pushtim janë një mjet aneksimi, jo një shprehje e vullnetit të popullit”, ishte mesazhi i Tykhyi-t.
Përplasja e deklaratave vjen në një moment kur çështja e territoreve të pushtuara mbetet një nga pengesat kryesore në negociatat për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
