Shkup, 21 janar – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të mërkurën e javës së ardhshme do të protestojë para Qeverisë, për shkak të mospranimit të kërkesës së tyre për rritjen e pagave. Vendimi është marrë në seancën e fundit sindikale, ku u theksua se ka ardhur koha që pakënaqësia për rritjen e menjëhershme të pagës minimale dhe të pagave në përgjithësi të shprehet hapur, përmes protestës. Sindikalistët vlerësojnë se, në mungesë të zgjidhjeve konkrete, protesta mbetet e vetmja rrugë për të kërkuar rritjen e pagave.
“Të mërkurën dalim për të shprehur revoltën e punëtorëve në vend. Më pas do të vazhdojmë me targetimin dhe bllokimin e disa institucioneve në lokacione të ndryshme në vend, në mënyrë që edhe ata ta ndjejnë atë që ne e përjetojmë çdo ditë. Nëse ata na bllokojnë gjatë gjithë vitit, atëherë do t’i bllokojmë edhe ne. Pas këtyre bllokimeve do të vazhdojmë me grevë të përgjithshme në të gjithë sektorin publik dhe privat. Në Maqedoni, pavarësisht se si përpiqen ta paraqesin situatën, sindikatat do t’u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve në vend që t’i bashkohen grevës së përgjithshme 24-orëshe. Çdo punëtor do të jetë i mbrojtur nga largimi nga puna, do të ketë mundësi atë ditë të mos punojë, si dhe të dalë në rrugë për të protestuar. Secili vet do të vendosë nëse do të protestojë ose jo.”, – deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Çdo punëtorit i nevojitet rritje e pagës, por jo një rritje simbolike prej vetëm 25 eurosh, siç parashikohet nga muaji mars. Një rritje e tillë është e papranueshme për sindikalistët, pasi kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe situata aktuale nuk është më e përballueshme. Trendafilov u bëri thirrje përfaqësuesve të Qeverisë që “t’i heqin syzet rozë”, duke theksuar se po udhëheqin një shtet që renditet si më i varfri në Evropë. Protesta e LSM-së është paraparë të nisë nga objekti i LSM-së, ndërsa marshimi do të vazhdojë para godinës së Kuvendit, Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe më pas vazhdojnë para Qeverisë. LSM-ja kërkon rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritje lineare të të gjitha pagave të tjera në vend.
