Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Gjatë një kontrolli të intensifikuar, të zhvilluar dje nga ora 17:00 deri në orën 22:00 në territorin e Koçanit dhe Vinicës, zyrtarët policorë shqiptuan gjithsej 59 sanksione për kundërvajtje të kryera nga drejtues të motoçikletave dhe automjeteve të lehta elektrike – trotinetëve.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, pjesa më e madhe e kundërvajtjeve kishin të bënin me drejtimin e motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, për çka u sanksionuan 34 drejtues.
Gjithashtu, u shqiptua një sanksion ndaj një drejtuesi të trotinetit elektrik, tre sanksione për drejtim pa kategorinë përkatëse të patentës, një për drejtim nën ndikimin e alkoolit, një për regjistrim të skaduar, një për policë të skaduar të sigurimit të detyrueshëm, dy për kundërvajtje të tjera të kryera nga motoçiklistët dhe 16 për shkelje të tjera në komunikacion.
Gjatë kontrollit u zbuluan edhe tri vepra penale. Tre persona, mes tyre edhe një i mitur, u privuan nga liria nën dyshimin se kishin kryer veprën penale “drejtim i automjetit motorik pa patentë shoferi”, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.
Gjatë aksionit u konfiskuan edhe tri motoçikleta, ndërsa ndaj të gjithë shkelësve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se kontrollet e përforcuara në komunikacion do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme, duke u bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
