Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka thirrur sot në bisedë një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili ushtron detyrën e të ngarkuarit me punë në mungesë të ambasadorit. Shkak për këtë veprim janë deklaratat e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, dhe ambasadorit bullgar Zheljazko Radukov.
Sipas njoftimit të MPJ-së, gjatë takimit është shprehur pakënaqësi për deklaratën e Demerxhievit lidhur me rastin e Iva Mihaillovës, e cila nga pala maqedonase është vlerësuar si fyese dhe provokuese.
Po ashtu, është kundërshtuar deklarata e ambasadorit Radukov për televizionin bullgar BTV, e cila, sipas Ministrisë, përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit, për shkak të vlerësimeve të bëra për punën e institucioneve kompetente.
“Provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, përmbajtjes dhe komunikimit konstruktiv”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Nga Ministria theksojnë se gjatë takimit është paralajmëruar se një sjellje e tillë mund të sjellë nevojën për reagim përkatës institucional, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila përcakton kufijtë e veprimtarisë diplomatike dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës.
Në përfundim të takimit, MPJ-ja ka ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, besimin dhe parimet evropiane.
“Ky përkushtim dhe përgjegjësi pritet edhe nga pala bullgare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
