Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se, duke filluar nga ky muaj, personat e siguruar do të mund ta marrin sërish ilaçin “Foster” në barnatore pa pagesë shtesë, duke paguar vetëm participimin e paraparë me ligj.
Sipas Ministrisë, kompania që mban autorizimin për vendosjen në treg të këtij ilaçi, i cili është pjesë e Listës Pozitive të Barnave, ka bërë ndryshime në interes të pacientëve që e përdorin këtë terapi.
“Personat e siguruar do të mund ta marrin përsëri ilaçin në barnatore pa pagesë shtesë, duke paguar vetëm participimin e përcaktuar me ligj për shërbimin e dhënies së barit me recetë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga MSH-ja bëjnë të ditur se e njëjta praktikë do të vlejë edhe për barnat e tjera që përmbajnë të njëjtët përbërës aktivë dhe përdoren në trajtimin e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK).
Ministria thekson se vazhdon të ndërmarrë masa për të rritur disponueshmërinë e barnave dhe për të lehtësuar qasjen e pacientëve në terapi me çmime më të përballueshme.
