Mucunski: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me SHBA-në, tarifa më e lartë do të jetë 15 për qind, ndërsa për disa produkte dhe industri kyçe edhe më pak

nga D. V.

Shkup, 19 shkurt – Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje. Deklarata e përbashkët është konfirmim i kësaj. Edhe me ato pak shtete me të cilat SHBA-ja tashmë ka lidhur marrëveshje, procesi ka shkuar kështu – fillimisht ka pasur deklaratë të përbashkët, pastaj është arritur marrëveshja, e cila nga këndvështrimi juridik ndërkombëtar nënkupton procedura të brendshme shtesë. Për momentin mund të them se tarifa më e lartë për ne do të jetë 15 për qind, që është më e ulët se për një numër të madh shtetesh jo vetëm në botë, por edhe në rajon, ndërsa për disa produkte dhe industri kyçe do të ketë tarifa nën 15 për qind,” kumtoi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Siç deklaroi Mucunski para fillimit të Biznes forumit Maqedoni e Veriut-Sllovaki, Maqedonia tashmë ka produkte që eksportohen në SHBA me tarifa më të ulëta se 15 përqind, që do të thotë se po lëviz në drejtimin e duhur.

Procesi i negociatave, vuri në dukje, është kompleks dhe sfidues, por edhe me karakter të besueshëm, prandaj shumë detaje nuk mund të zbulohen në këtë kohë.

“Besueshmërinë duhet ta mbrojmë. Do të bëhet publik një dokument, i cili ndoshta do të duhet të kalojë nëpër një procedurë parlamentare dhe të gjithë do të shohim se çfarë do të thotë kjo konkretisht për ne. Por fakti që tashmë kemi produkte që eksportohen në SHBA me tarifa më të ulëta se 15 përqind do të thotë se po ecim në drejtimin e duhur. E konsideroj këtë një sukses kolektiv të Qeverisë, por fakt është se SHBA-ja aktualisht po negocion me të gjithë botën në lidhje me këtë çështje. Fakti që ata vendosën të na japin përparësi, një vendi më të vogël që nuk është aq i rëndësishëm për tregun amerikan nga pikëpamja ekonomike, duhet të jemi realistë – është një përgjigje e drejtpërdrejtë për pyetjen se çfarë do të thotë kjo marrëdhënie e veçantë dhe ky partneritet strategjik me Uashingtonin. Shpresoj për një rezultat të mirë. Deklarata e përbashkët është një rrugë drejt kësaj dhe besoj se do të sjellë përfitime konkrete për përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, dhe në fund edhe për ekonominë tonë dhe të gjithë qytetarët!, theksoi Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.

Ai kujtoi se shumë vende në rajon ende kanë tarifa shumë më të larta prej 15 për qind krahasuar me SHBA-në. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si ne, duan të stimulojnë eksportet e tyre dhe ne duam të stimulojmë eksportet tona. Nga kjo pikëpamje, ata po marrin masa që do të forcojnë pozicionet e tregut amerikan në nivel global në tregjet e tjera ndërkombëtare. Ajo që shoh nga trendet në periudhën e fundit – fakti që arritëm të arrinim në një zgjidhje të tillë nuk ka dëmtuar një pjesë të madhe të kompanive tona që eksportojnë në SHBA, dhe ne komunikojmë me një pjesë të madhe të tyre. Është e vërtetë që ata kanë sfida, por ne ende arrijmë t’i mbajmë eksportet e tyre drejt SHBA-së në mënyrë të qëndrueshme. A mendoj se ka potencial për eksportimin e produkteve tona në SHBA që nuk janë eksportuar deri më tani, po, unë padyshim mendoj se kjo është e mundur dhe varet nga politika jonë e promovimit të eksporteve.

Mucunski theksoi se negociatat me SHBA-në i udhëhoqi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, por ndihmë të madhe në këtë proces dha edhe kryeministri Hristijan Mickoski përmes kontakteve të tij në Uashington. Shumë kanë kontribuar edhe ministritë e Financave, Transformimit Digjital, Bujqësisë, Mbrojtjes, Drejtorisë Doganore, FSSH-ja, si dhe shumë institucione të tjera.

postime të lidhura

Shkruani një koment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy