NATO rrit praninë në Arktik dhe në Veriun e Largët

Nga admin
390 e lexuar
A+A-
Rivendos

Komanda e Operacioneve Aleate (ACO), e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e të gjitha stërvitjeve, aktiviteteve dhe operacioneve të NATO-s, nisi sot aktivitetin Arctic Sentry. Ky aktivitet shumëdimensional do të forcojë më tej qëndrimin e NATO-s në Arktik dhe në Veriun e Largët, ndërsa prania e vazhdueshme e NATO-s në rajon po zgjerohet.

“Arctic Sentry thekson përkushtimin e Aleancës për të mbrojtur anëtarët e saj dhe për të ruajtur stabilitetin në një nga rajonet më strategjike dhe më sfiduese nga pikëpamja mjedisore në botë”, deklaroi Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.

“Ai do të vërë në dispozicion të gjithë fuqinë e NATO-s për të mbrojtur territorin tonë dhe për të siguruar që Arktiku dhe Veriu i Largët të mbeten të qeta dhe të sigurta”, shtoi ai.

Kjo deklaratë vjen në kuadër të rritjes së fokusit të NATO-s mbi sigurinë në Arktik dhe pas takimit të zhvilluar muajin e kaluar në Davos të Zvicrës mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë këtij takimi, të dy liderët ranë dakord se Aleanca duhet të marrë kolektivisht më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e rajonit, në dritën e aktivitetit ushtarak të shtuar të Rusisë dhe interesit në rritje të Kinës në këtë zonë.

Përgatitjet për Arctic Sentry u ofruan planifikuesve të NATO-s një pasqyrë të plotë mbi aktivitetet e vendeve aleate në Arktik dhe në Veriun e Largët. Në vijim, Komanda Aleate e Operacioneve (ACO) do ta përdorë Arctic Sentry për të bashkërenduar këto përpjekje në një qasje të integruar operacionale ndaj rritjes së aktiviteteve të Aleatëve, duke forcuar kështu praninë e NATO-s në rajon, njofton Selia e Komandës Supreme të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

Këto aktivitete përfshijnë, ndër të tjera, Arctic Endurance të Danimarkës – një seri stërvitjesh shumë-domainëshe të hartuara për të rritur aftësinë e Aleatëve për të vepruar në rajon – si dhe stërvitjen e ardhshme Cold Response të Norvegjisë, ku trupa nga e gjithë Aleanca kanë nisur tashmë të mbërrijnë.

Arctic Sentry do të drejtohet nga Komanda e Forcës së Përbashkët në Norfolk (JFC Norfolk), komanda më e re e forcave të përbashkëta të Aleancës, zona e përgjegjësisë së së cilës, që nga dhjetori, përfshin tashmë të gjithë këtë rajon.

“Sa u përket komandave të forcave të përbashkëta të NATO-s, Norfolk shërben si ura lidhëse mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, duke mbrojtur qasjet strategjike ndërmjet dy kontinenteve dhe më gjerë”, deklaroi Grynkewich, i cili një ditë më parë u informua mbi planifikimin e Arctic Sentry nga komanda e forcës së përbashkët atje.

ACO dhe JFC Norfolk do të bashkëpunojnë me Komandën Aleate për Transformim, si dhe do të koordinojnë aktivitetet me Komandën e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), një strukturë e përbashkët e SHBA-së dhe Kanadasë, si edhe me Komandën Veriore të SHBA-së (USNORTHCOM) dhe Komandën Evropiane të SHBA-së (USEUCOM).

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër