Nderim Neziri: Ka njerëz që nuk e durojnë as pasqyrën, e jo më një mendim ndryshe

Nga Xh M
755 e lexuar
A+ A-
Rivendos

I drejtpërdrejtë, pa filtra dhe shpesh kundër rrymës, gazetari dhe opinionisti Nderim Neziri nuk e ka ndërtuar emrin duke u pëlqyer të gjithëve, por duke thënë atë që shumë e mendojnë e pak e thonë. Kjo është një bisedë pa maska, me një njeri që nuk negocion me bindjet e tij.

Pse kaq shumë “jo” për një intervistë?
Sepse nuk kam krizë vëmendjeje. Sot shumë njerëz japin intervista edhe kur s’kanë çfarë të thonë. Unë preferoj të flas rrallë, që kur të flas, të mbahet mend.

Cila është filozofia jote e jetës?
Nuk kam ardhur në këtë jetë për të qenë versioni që u pëlqen të tjerëve. Më intereson më shumë të jem i sinqertë sesa i pranueshëm. Pëlqimet skadojnë, karakteri jo.

A ke menduar ndonjëherë se do të jesh ky që je bërë?
Jo. Kam menduar vetëm se nuk do të jem kurrë pjesë e turmës. Emri vjen me kohën. Shtyllë kurrizore ose e ke, ose nuk e ke.

Çfarë të bëri kaq të njohur?
Nuk bërtita më shumë se të tjerët. Thashë gjëra që shumë i mendonin, por nuk guxonin t’i thoshin. Në një kohë filtrash, njerëzit ende e dallojnë origjinalin.

Mes “Big Brother” dhe “Elite Way”, kë e zgjedh të parin?
“Elite Way”. Reality show-t krijojnë zhurmë. Unë preferoj të krijoj përmbajtje. Zhurma zgjat një sezon, puna mbetet. Gjithsesi, “Big Talk Kosova” dhe “BBVK” mbeten eksperiencë e pa harrueshme dhe trampolinë për më shumë.

A je i ashpër aq sa dukesh në debate?
Jo. Jam vetëm alergjik ndaj budallallëkut të paketuar si mendim. Nëse argumenti është i fortë, jam i pari që ndryshoj qëndrim. Nëse është i dobët, mos prit që ta zbukuroj.

A pajtohesh me dikë ose diçka?
Po. Me faktet. Fatkeqësisht, sot ato janë bërë pakicë.

Opinionet tua mbështeten në argumente të forta. Sa guxim kërkon të jesh kaq i drejtpërdrejt?
Nuk është guxim. Është luks. Luksi për të mos pasur nevojë t’i bësh qejfin askujt. Kur nuk je peng i interesave, e ke shumë më të lehtë të thuash atë që mendon.

Ke ndryshuar plotësisht look. Për t’u dukur më bukur apo është përtej kësaj?
Kam humbur peshë. Jam ri-formatuar për ti thënë vetës “ështe heret për të dështuar”. Jetojmë në kohen kur pamja e mbyt përmbajtjen, madje edhe mes meshkujve.

Përtej gazetarisë dhe ekranit, kush është Nderim Neziri?
Një njeri që nuk ka nevojë për kamerën për t’u ndjerë i rëndësishëm. Ekrani është vendi ku punoj. Jo vendi ku ekzistoj. Jam familjar, bashkëshort dhe baba i përmbushur.

Për ata që s’të duan…
Mos u shqetësoni. Nuk kam hyrë në jetë për të fituar konkurs popullariteti. Ka njerëz që nuk durojnë dot as pasqyrën, e jo më një mendim dhe njeri ndryshe.

Për ata që të duan…
Mos më mbroni. Më lexoni. Nëse një ditë nis t’ju them atë që doni të dëgjoni dhe jo atë që mendoj, atëherë kam humbur unë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër