Nderohen dëshmorët në 82-vjetorin e çlirimit të Tiranës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Autoritete shtetërore e politike nderuan sot sakrificën e dëshmorëve, që ranë në betejat e ashpra kundër pushtuesve nazistë për çlirimin e Tiranës, 82 vjet më parë.

Në ceremoninë e përkujtimit të ngjarjes historike morën pjesë, zv.kryeministrja Albana Koçiu, nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ministrat Ervin Demo dhe Blendi Gonxhja, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, prefekti i Tiranës, personalitete të shquara të qytetit dhe përfaqësues të veteranëve e familjeve të dëshmorëve.

Koçiu u shpreh se amaneti i dëshmorëve jeton sot në Tiranën europiane që përmes zhvillimit dhe transformimit është kthyer në një kryeqytet modern, me sytë nga e ardhmja.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se nderimi për sakrificën e dëshmorëve duhet të shprehet edhe përmes punës së përditshme për qytetin, kujdesit ndaj banorëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre.

“Ata na lanë një qytet të lirë. Ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi për të”, theksoi ministri në mesazhin e tij.

Demo nënvizoi se kjo përgjegjësi kërkon që institucionet të jenë pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të ndjekin zgjidhjen e problemeve që ua vështirësojnë jetën. Ai vuri theksin te puna për sigurinë e fëmijëve dhe mbështetjen e familjeve, në mënyrë që ato të ndiejnë praninë dhe kujdesin e institucioneve në jetën e përditshme.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përcjelljes së historisë së Tiranës te brezat e rinj, duke e lidhur ruajtjen e kësaj kujtese me përgjegjësinë për të ardhmen e qytetit.

“Historinë e Tiranës duhet t’ua përcjellim brezave të rinj. Me punën tonë, duhet t’u japim edhe më shumë arsye për ta dashur këtë qytet dhe për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Ky do të ishte edhe nderimi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për çlirim”, u shpreh Demo.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shprehet se “nderojmë me përulje dhe mirënjohje heronjtë dhe dëshmorët e këtij vendi, gjakun dhe sakrificën për liri. Amaneti i tyre është udhërrëfyes për të ruajtur trashëgiminë, për ta zhvilluar Tiranën drejt një qyteti gjithnjë e më vibrant, modern, kulturor dhe mikpritës për këdo”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër