Ndotja e ajrit nga termoelektranat e Kosovës, IKSHPK tregon pasojat afatshkurta dhe afatgjata

Nga D. V.
334 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 prill, Zhurnal.mk – Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se ndotja e ajrit paraqet një nga sfidat më të mëdha mjedisore, shëndetësore dhe klimatike në vendin tonë, e cila konsiderohet si emergjencë globale e shëndetit publik.

IKSHPK thekson se termoelektranat e Kosovës (A dhe B) që përdorin thëngjillin si burim energjie mund të lëshojnë në atmosferë substanca të dëmshme si: ozoni (O3), oksidet e azotit (NOx), dioksidi të squfurit (SO2), dhe materie grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5.

Sipas raporteve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) në Kosovë, sektori i energjetikës është përgjegjës për 40% të emisioneve ndotëse të ajrit, ku lirimi i tymit dhe pluhurit, rritë përqendrimin e grimcave ajrore fluturuese për një kohë më të gjatë në ambientin rrethues.

IKSHPK më tej njofton se më shumë se 90% e tyre kur absorbohen nga mukoza e sistemit të sipërm respirator, ndikojnë në rritjen e incidencës së infeksioneve respiratore tek fëmijët, të moshuarit, shtatzënat, të sëmurët kronik dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.

IKSHPK ka treguar efektet afatshkurtra dhe ato afatgjata si pasojë e aero-ndotjes mund të jenë shkaktarë të ç’rregullimeve në shumë sisteme dhe organe si:

Rritjen e mortalitetit të popullatës së ekspozuar.

Cilësia e dobët e ajrit është gjithashtu e lidhur me sëmundjet akute dhe kronike të frymëmarrjes, siç janë bronkiti dhe përkeqësimi i astmës

Ndikimit iritues në sy dhe mukozat e sistemit respirator dhe funksionet ventiluese të mushkërive.

Ndikimit toksik në sistemin kardiovasular.

Ndikimit negativ në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe

Ndikimit kancerogjen.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tutje thekson se ka përcjellë me vëmendje shkarkimet e ndotësve nga termoelektranat A dhe B, ku ditëve të fundit është parë një ndotje enorme nga tymtarët e Obiliqit.

Duke analizuar situatën aktuale Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, propozon:

A. Masat afatshkurtra (urgjente) për përmirësimin e menjëhershëm të situatës:

Monitorimi në kohë reale i ndotjes dhe publikimi transparent i të dhënave për qytetarët nga KEK-u.

Monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve (kontrolli i rregullt teknik dhe sanksione nese nuk punojnë).

Inspektime të shpeshta nga inspektorët e mjedisit dhe gjoba të larta për tejkalim të normave.

Instalimi i teknologjive për desulfurizim dhe përdorimi i sistemeve për reduktimin e NOx.

Modernizimi i pajisjeve ekzistuese.

B. Masat për mbrojtjen e shëndetit publik:

Krijimi i një sistemi të integruar të informatave në situata emergjente.

Promovimi i rëndësisë së cilësisë se ajrit si përcaktues i shëndetit dhe mirëqenjes së popullatës.

Monitorimi dhe raportimi i rregullt i cilësisë së ajrit.

Ngritja e zonave gjelbruese në mes të zonës industriale dhe asaj të banimit.

Vendosja e standardeve për emetimet industrial.

Zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit

Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmërojnë dhe alarmojnë se po qëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër