Komuna e Kërçovës në bashkëpunim me koalicionin e shoqatave qytetare “Forumi i komuniteteve joshumicë, sot shënoi Ditën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara – 21 Majin – Ditën botërore të shumëllojshmërisë kulturore për dialog dhe zhvillim.
Në sallën e Këshillit komunal të Kërçovës sot u shënua Dita botërore e shumëllojshmërisë kulturore, një ditë e veçantë që promovon bashkëpunimin ndëretnik, ndërfetar dhe ndërkulturor.
Të pranishmit, fillimisht i përshëndeti kryetari Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, i cili potencoi se dialogu ndëretnik është esenca e bashkëpunimit dhe mirëbesimit që garanton një ardhmëri të lumtur për një shoqëri multietnike, siç është Komuna e Kërçovës.
“Kultura nuk është vetëm trashëgimia që ne e ruajmë, ajo është një proces i gjallë që vazhdon, është një hapësirë e komunikimit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit në mes të njerëzve. Pikërisht përmes dialogut kulturor ndërtohen urat në mes të gjeneratave, bashkësive etnike dhe perspektivës së përbashkët zhvillimore.”, – deklaroi kreu i Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
Për këto vlera, të cilat e përforcojnë mirëbesimin drejt zhvillimit dhe perspektivës që e ofron dialogu ndëretnik dhe ndërkulturor i popullatës që jeton në këto hapësira, folën edhe Salko Kuç, koordinator i bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar në RMV, Edmond Fejza, përfaqësues i korpusit të paqes në RMV dhe Bratisllava Tanaskoviq, koordinatore e Forumit të Bashkësive etnike joshumicë në RMV.
