Në Klinë zbulohet shtatorja e ish-presidentit, nga sot sheshi mban emrin “Ibrahim Rugova”

Nga D. V.
849 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Sot në Klinë, kryetari i komunës Zenun Elezaj ka bërë të ditur se është realizuar zbulimi i shtatores së Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, një prej figurave qendrore të historisë moderne të vendit dhe simbol i politikës së paqes, urtësisë dhe vizionit shtetformues.

Në ceremoninë solemne u theksua se kjo vepër monumentale nuk përbën vetëm një homazh artistik, por edhe një simbol të përhershëm të kujtesës historike, identitetit dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Nga sot, sheshi ku është vendosur shtatorja në Klinë do të mbajë emrin Sheshi “Ibrahim Rugova”, duke u shndërruar në një hapësirë publike me rëndësi të veçantë për reflektim, edukim qytetar dhe nderim të figurave historike.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, u vlerësua roli i Rugovës si burrështetas që, në periudhat më të vështira për Kosovën, zgjodhi rrugën e dialogut, rezistencës paqësore dhe përfaqësimit dinjitoz të çështjes kosovare në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu u shpreh mirënjohje për donatorët Marjan dhe Ilir Çubi, të cilët mundësuan realizimin e shtatores, duke kontribuar në pasurimin e hapësirës publike dhe ruajtjen e kujtesës historike në komunën e Klinë.

Në përmbyllje të ceremonisë u theksua mesazhi i përhershëm i respektit dhe mirënjohjes për figurën e Ibrahim Rugovës, si dhe u përsërit thirrja që trashëgimia e tij politike dhe morale të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, thuhet tutje në njoftimin e postuar në rrjetin social Facebook nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër