Në pikëpyetje se më 1 shkurt nisin gjobat nga kamerat radar “Safe city”

Nga B.M
826 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 janar – Nuk është e sigurt nëse nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i sistemit për ndëshkimin e shoferëve përmes “Safe City”, pasi në Kuvend ende nuk është siguruar shumica prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtjet, përcjell INA.

Opozita e BDI-së nuk i mbështet ligjet e propozuara nga qeveria, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se ende nuk ka marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare, edhe pse nuk ka vërejtje për përmbajtjen e ndryshimeve.

“Nëse arrihet marrëveshje, ndryshimet ligjore menjëherë do të futen në seancë parlamentare për t’u votuar. Deri tani, në koordinimet e grupeve parlamentare nuk ka pasur vërejtje lidhur me tekstin e ndryshimeve. Arsyeja pse ky ligj nuk po mbështetet është çështje marrëveshjeje mes grupeve parlamentare”, tha Gashi.

Ndryshimet parashikojnë që gjobat për kundërvajtjet e regjistruara nga kamerat e “Safe City” t’u dërgohen shoferëve përmes SMS-it ose postës elektronike, me afate të përcaktuara ligjore për pranimin e njoftimit.

Me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet synohet që gjoba për kundërvajtjet e evidentuara përmes kamerave të “Safe City” t’i dërgohet shoferit përmes SMS-it ose përmes postës elektronike.

“Dërgimi i njoftimeve për kundërvajtjet e konstatuara nga një sistem i posaçëm elektronik bëhet përmes dërgimit të një mesazhi tekstual në telefonin mobil ose në adresën elektronike që e ka paraqitur pronari i automjetit. Në njoftim do të dërgohet një link për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në komunikacion, së bashku me urdhërpagesën për kundërvajtje. Nëse pronari i automjetit, përkatësisht personi përgjegjës në personin juridik, nuk e hap njoftimin brenda 24 orëve nga dërgimi i njoftimit të parë, do t’i dërgohet një njoftim i dytë me linkun për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesën për kundërvajtje. Afati për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në komunikacion me urdhërpagesë nga linku i dërguar është 8 ditë nga dita e pranimit të njoftimit. Pas kalimit të afatit prej 8 ditësh nga dërgimi i njoftimit të dytë për shkarkim nga linku, konsiderohet se dorëzimi është kryer në mënyrë të rregullt edhe pa u shkarkuar dokumenti. Dorëzimi mund të bëhet edhe përmes një aplikacioni digjital, në përputhje me ligjin”, thuhet në ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtjet.

Ligji parashikon gjithashtu konfiskim të përhershëm të automjeteve për shoferët nën ndikimin e alkoolit ose drogës, si dhe heqje të patentë-shoferit.(INA)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër