​“Në stilin e banditeskut – qiti paret”, LVV fajëson Përparim Ramën për situatën në kryeqytet

nga L. M

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të marrin pjesë tw enjten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku në rend dite është bartja e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe buxheti i Komunës për vitin 2026. Gëzim Sveçla nga kjo parti tha se do të votojnë për bartjen e mjeteve. Në konferencë për media, ai fajësoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për zhvillimet në kryeqytet.

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë të martën pasdite ka mbajtur konferencë për media, ku Sveçla tha se “ky nuk ka qenë gabim i Përparim Ramës, por qëllim që të krijojë kauza.

“Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të enjten do të jenë prezent në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës për ta votuar bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025, këto mjete për të cilat Përparim Rama e traumatizojë një Kosovë, e të cilat nuk i kërkoi aty ku është vendi në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo nuk ka qenë gabim i Përparim Ramës, ky ka qenë qëllim i tij që të krijojë kauza, sepse kur dështon në menaxhim dhe kur nuk ke për çka i akuzon kundërshtarët, atëherë pa mëdyshje se duhet ndërtimi i një kauze, kauzën të cilën siç e thash e rrënoi vet me veprimet e djeshme”, deklaroi Sveçla.

Në konferencë për media, Sveçla tha se kërkojnë nga Përparim Rama që të ndërpres, siç u shpreh ai, keqmenaxhimin financiar në ndërmarrje.

“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme. Është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim një deklaratë të zotëri Rama që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Duhet potencuar këtu qartë se pse kjo nuk është opsion por rruga e vetme ligjore. Tani më vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm me kërkesat e tij të pa drejta dhe ligjërisht të paqëndrueshme për bartje të mjeteve vetanake kur këtë gjë nuk e ka kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, deklaroi ai.

Skena teatrale i ka quajtur Sveçla paraqitjet e kryetarit të Prishtinës, teksa u shpreh se “punëtorët e Trafikut Urban e kanë kuptuar se adresa e dështimit është para zyrës së kryetarit”.

“Ai [Përparim Rama] ka filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste ‘qiti paret, qiti paret’, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut e Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre, ku është adresa e vonesës së pagave të tyre dhe për këtë arsye janë mbledhur sot aty ku është vendi te Komuna e Prishtinës, para zyrës së kryetarit Përparim Rama. Duhet thënë se këto skena teatrale të Përparim Ramës janë shfaqje të tij, sepse me bindje të plotë e them që zotëri Rama nuk ka kurrfarë empatie ndaj punëtorëve dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës”, shtoi ai në konferencë për media.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se deklarata e presidentes Vjosa Osmani e ka demaskuar kauzën e rrejshme të Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut për bllokadë të buxhetit të Prishtinës.

“Edhe deklarata e pastajme, sot që është bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është krejt e kot, është e pavërtetë dhe e pasaktë sepse është dëshmuar nga praktika edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që kredibiliteti i Lumir Abdixhikut është në nivelin zero, kjo për faktin se si asamblist i LVV-së kemi kërkuar nga Krypometri i cili është Instituti i vetëm që bën vërtetësinë e deklaratave, të vërtetojë një deklaratë të zotëri Lumir Abdixhiku që kishte thënë se asamblistët e LVV-së kanë qenë kundër mësimit tërëditor, dhe pas gjithave hulumtimeve që janë bërë, është konstatuar se deklarata e Abdixhikut ka qenë e rrejshme, njësoj siç ka qenë edhe demantimi ose tentimi për të demantuar atë deklaratë të presidentes së vendit”, ka shtuar ai.

Është dita e dytë që punëtorët e Trafikut Urban dhe transportit publiko-privat po protestojnë duke kërkuar borxhin që ka komuna ndaj tyre. Sot ata bllokuan rrugët e kryeqytetit me autobusë duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme.

Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë derisa mjetet financiare t’u transferohen Trafikut Urban.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More