Tel Aviv, 5 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk e ka pranuar planin për Gazën, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse ka marrë garanci se tërheqja e forcave izraelite nga territori palestinez do të ndodhë vetëm pasi Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Në një video të publikuar gjatë natës në rrjetet sociale, Netanyahu tha se ekipi i presidentit amerikan Donald Trump beson se mund të arrijë çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës.
“Po e shqyrtojmë këtë mundësi. Ata na dërguan një projekt-marrëveshje, por ne nuk e kemi pranuar, sepse nuk është projekti ynë. Ne ua kemi përcjellë komentet dhe vërejtjet tona”, deklaroi ai.
Sipas Netanyahut, gjatë takimit të zhvilluar të hënën me “Bordin e Paqes” të administratës Trump, organi i ngarkuar me zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën, ai mori garanci se ushtria izraelite nuk do të detyrohet të largohet nga pozicionet aktuale në Rripin e Gazës derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht.
Aktualisht, Izraeli kontrollon mbi 60 për qind të territorit të Gazës.
Nga ana tjetër, Hamasi njoftoi të premten se kishte pranuar marrëveshjen e shpallur nga presidenti Trump.
Sipas versionit të publikuar nga “Bordi i Paqes”, marrëveshja parashikon ndërprerjen e operacioneve ushtarake nga të dyja palët, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza.
Megjithatë, deklaratat e Netanyahut tregojnë se ende ekzistojnë dallime të rëndësishme mes palëve lidhur me tekstin përfundimtar të marrëveshjes.
Netanyahu, i cili synon të fitojë një mandat të ri në zgjedhjet parlamentare të tetorit, po përballet edhe me presion të fortë nga partnerët e tij të ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës.
Ata kanë kundërshtuar publikisht marrëveshjen e propozuar dhe kanë kërkuar që qeveria ta hedhë atë në votim për ta refuzuar zyrtarisht.
