Nga 21 milionë euro për sport, sa përfitojnë sportistët shqiptarë në RMV?

Nga I.A
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE-VLEN dhe ZNAM prezanton mbi 21 milionë euro investime në infrastrukturën sportive, të shpërndara në 60 projekte në gjithë Maqedoninë e Veriut. Retorika zyrtare e paraqet këtë paketë si rikthim të sportit në rang prioriteti kombëtar, si mbështetje për të rinjtë dhe si themel për një shoqëri më të shëndetshme. Por përtej këtij lajmi të mirë, duhet shtruar pyetjen që sa prej këtyre investimeve e prekin realisht sportin shqiptar, zonat shqiptare dhe potencialin e të rinjve shqiptarë në RMV? shkruan Zhurnal.

Investime të mëdha të duhura e të nevojshme, por si shpërndahen?

Qeveria liston një sërë projektesh kapitale rikonstruksionin e sallës “Rasadnik”, pistat atletike në Veles dhe Gjevgjeli, sallën sportive në Radovish, rikonstruksionin e sallës së UKIM‑it, si dhe ndërtimin e sallave të reja në Aerodrom, Krushevë dhe Akademinë Ushtarake. Këto projekte paraqiten si investime të balancuara kombëtare, por harta e tyre tregon një shpërndarje të përqendruar kryesisht në komuna maqedonase.

Në këtë listë, i vetmi projekt që prek drejtpërdrejt një zonë shqiptare është tribuna e re e stadiumit të Tetovës. Edhe ky investim, megjithëse i rëndësishëm mbetet i kufizuar në kapacitetet e tribunave, jo në transformim të plotë të infrastrukturës sportive të qytetit. Komunat shqiptare si Çairi, Saraji, Studeniçani, Likova, Gostivari, Kërçova dhe Dibra nuk figurojnë në listën e projekteve kapitale. Kjo natyrisht që krijon një disproporcion të dukshëm mes retorikës së “investimeve kombëtare” dhe shpërndarjes reale territoriale.

Sporti shqiptar karakterizohet me potencial të madh por me infrastrukturë e dobët

Komuniteti shqiptarë në RMV ka prodhuar kampionë në sportet luftarake, klube futbolli me traditë, atletë të rinj me rezultate të mira dhe një kulturë të gjallë sportive në shkolla e lagje. Por ky potencial përballet me sfida të thella mungesë palestrash moderne në shkollat shqipe, terrene të amortizuara, mungesë pishinash publike dhe mungesë kompleksesh multifunksionale në qendrat urbane shqiptare.

Tetova, si qendra kryesore sportive e shqiptarëve, ka nevojë për një kompleks modern sportiv, jo vetëm për tribuna të reja. Gostivari, Kërçova dhe Dibra përballen me mungesë të infrastrukturës bazike, ndërsa klubet shqiptare shpesh mbijetojnë me buxhete minimale dhe pa mbështetje të qëndrueshme institucionale. Nëse investimet nuk adresojnë këto boshllëqe, atëherë 21 milionë euro mbeten një shifër e madhe me ndikim të vogël në zonat ku sporti është pjesë e identitetit komunitar.

Kujtojmë që, investimet e Qeverisë mund të jenë hap pozitiv për sportin në RMV, por shpërndarja e tyre aktuale nuk pasqyron nevojat e komunitetit shqiptarë, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të rinisë aktive sportive. Derisa projektet kapitale të mos arrijnë në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër e komunat e tjera shqiptare, dilema mbetet që a do të shndërrohen 21 milionë euro në mundësi reale për sportin shqiptar, apo do të mbeten një investim që kalon pranë tyre pa i prekur? Në këtë fazë, përgjigjja varet më shumë nga vullneti politik sesa nga sporti. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër