Nga arrestimi në Mykonos te ndarjet dhe pajtimet – historia e trazuar e Angela Martinit dhe Dragos Savulescut

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Ndarja e Angela Martinit nga biznesmeni rumun, Dragos Savulescu, ka rikthyer vëmendjen te historia e tyre e dashurisë, e cila për afro nëntë vjet kaloi nëpër momente të rëndësishme, por edhe sfida të shumta.

Çifti, që ka një djalë së bashku, tashmë ka vendosur t’i ndajë rrugët, pas një periudhe në të cilën marrëdhënia e tyre kishte përfunduar edhe më parë, për t’i dhënë më pas një tjetër mundësi.

Angela dhe Dragos u njohën në vitin 2016, në një festë në Los Angeles, ku modelja fillimisht kishte planifikuar të qëndronte vetëm për pak minuta.

 Angela Martini

Megjithatë, takimi i tyre ndryshoi planet dhe, sipas rrëfimit të Angelas për revistën zvicerane “Blick”, që në fillim kishin ndier një lidhje të veçantë.

Në dhjetor të vitit 2017, ata u martuan në Las Vegas, duke nisur kështu jetën e tyre si çift.

Një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së tyre ishte ardhja në jetë e djalit, Kyree Martini Savulescu, në vitin 2021.

Çifti u bë prindër përmes një nëne surrogate, pasi Angela kishte folur më parë për dëshirën e saj të madhe për të krijuar familje.

 Angela Martini dhe Dragos Savulescu

Djali, i cili sot është katërvjeçar, mbetet edhe pas ndarjes lidhja më e rëndësishme mes tyre.

Por, krahas jetës familjare, çifti u përball edhe me një periudhë të vështirë për shkak të problemeve ligjore të Savulescut në Rumani.

Biznesmeni, ish-aksionar i klubit të futbollit Dinamo Bucuresti, u dënua në shkurt të vitit 2019 me pesë vjet e gjashtë muaj burgim për bashkëpunim në shpërdorim detyre, në kuadër të dosjes së njohur të kthimit të paligjshëm të pronave në zonën bregdetare të Konstancës dhe Mamaias.

Çështja lidhej me prona plazhi dhe zona bregdetare, derisa Savulescu i kishte mohuar akuzat.

 Angela Martini dhe Dragos Savulescu

Pas dënimit, ai u largua drejt Italisë, ku u vendos në Napoli.Në janar të vitit 2020 u dorëzua në polici, teksa gjykata në Napoli vendosi që të mos e dorëzonte në Rumani dhe ta trajtonte ekzekutimin e dënimit sipas procedurave italiane.

Megjithatë, çështja nuk përfundoi aty.

Më 9 gusht 2021, gjatë pushimeve në ishullin grek Mykonos, ai u arrestua nga rreth 30 policë, në një restorant ku po darkonte me Angelan dhe miqtë e tyre.

Arrestimi ndodhi në prani të modeles shqiptare, e cila më vonë tregoi se kishte qenë një përvojë tronditëse.

 Angela Martini dhe Dragos Savulescu

Ajo tha se kishte këmbëngulur të shoqëronte bashkëshortin në polici dhe kishte filmuar gjithçka me telefonin e saj. Sipas rrëfimit të saj për “Blick”, në mesin e personave që u shoqëruan nga policia ishte edhe një mike e saj, ish-bashkëshortja e këngëtarit Eros Ramazzotti.

Angela dhe Dragos e cilësuan arrestimin si të padrejtë, ndonëse ai pretendonte se urdhërarresti rumun nuk duhej të ishte më në fuqi.

Pas dy ditësh nën arrest, në shtator të vitit 2021, Gjykata e Apelit të Egjeut në Syros refuzoi kërkesën për dorëzimin e tij në Rumani, duke i lejuar kthimin në Itali.

Në një intervistë të dhënë pas kësaj ngjarjeje, çifti tregoi se kjo periudhë, pavarësisht frikës dhe stresit, i kishte afruar edhe më shumë.

 Angela Martini dhe Dragos Savulescu

Biznesmeni e kishte përshkruar Angelan si një grua luftëtare, e ajo kishte thënë se dashuria e tyre ishte forcuar gjatë atyre vështirësive.

Megjithatë, vështirësitë nuk përfunduan me këtë episod.

Në tetor të vitit 2025, pas shtatë vitesh martesë, Angela paraqiti kërkesë për divorc, duke përmendur në dokumentet gjyqësore “dallimet e papajtueshme” si arsye të ndarjes.

Sipas raportimit të TMZ, data e ndarjes ishte shënuar 24 tetori, modelja kërkonte kujdestari të përbashkët ligjore dhe fizike për djalin e tyre.

 Angela Martini dhe Dragos Savulescu

Por, historia e tyre mori një kthesë tjetër në dhjetor të atij viti, kur Angela tërhoqi kërkesën për divorc.

Në shkurt të vitit 2026, ajo konfirmoi për TMZ se kishte vendosur t’i jepte një tjetër mundësi martesës me Dragos, duke thënë se kishin rigjetur shkëndijën në marrëdhënien e tyre.

Kështu, për një periudhë dukej se çifti kishte lënë pas krizën, por pajtimi nuk rezultoi i përhershëm.

Më 3 nëntor 2026, Angela konfirmoi se marrëdhënia e tyre kishte marrë fund.

Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, ajo nuk dha arsye për ndarjen, por theksoi se djali i tyre do të mbetet gjithmonë përparësia e të dyve.

“Djali ynë mbetet dhurata më e mrekullueshme e kohës që kaluam së bashku, ndërsa lumturia dhe mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, shkroi modelja, duke i uruar Savulescut gjithë të mirat dhe duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjes.

artikuj të ndërlidhura