Nico Williams del kundër agjentit: Unë mora vendimin për ta refuzuar Barcelonën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Nico Williams ka kundërshtuar deklaratat e agjentit të tij lidhur me dështimin e transferimit te Barcelona, duke theksuar se vendimi për të qëndruar te Athletic Bilbao ishte tërësisht i tij dhe i familjes.

Sulmuesi anësor spanjoll është lidhur vazhdimisht me një kalim te Barcelona, por në fund vendosi të vazhdojë karrierën në San Mames. Deklaratat e fundit të përfaqësuesit të tij, Felix Tainta, kanë rikthyer diskutimet për arsyet që penguan realizimin e transferimit në vitin 2024.

Tainta kishte pretenduar se vështirësitë financiare të Barcelonës dhe rregullat e “fair-play”-it financiar kishin ndikuar ndjeshëm në dështimin e negociatave. Sipas tij, lojtari kishte nevojë për garanci se do të mund të regjistrohej dhe të luante për klubin katalunas.

“Vjen një moment në negociata kur Nico nuk mund të mbetet pa luajtur. Nico është një makinë e Formula 1”, kishte deklaruar agjenti.

Megjithatë, Williams nuk është pajtuar me këtë version të ngjarjeve, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takonte atij dhe familjes së tij.

“Vëllai im ishte i qartë me atë që tha. Është e vështirë kur emri yt përfshihet në gjëra të tilla. Felixi ka gabuar me fjalët që ka thënë, gjërat nuk janë ashtu”.

“Vendimin përfundimtar e marrim unë, vëllai im dhe familja”, deklaroi Williams pas fitores së Athletic Bilbaos ndaj Getafes, sipas Diario SPORT.

23-vjeçari theksoi se nuk kishte dyshuar asnjëherë për dëshirën e tij për të qëndruar te klubi bask, pavarësisht ofertave të shumta që kishte në dispozicion.

“Synimi im është të jem këtu dhe kjo nuk duhet të vihet në dyshim. Barcelonës, Arsenalit, PSG-së dhe shumë klubeve të tjera u kam thënë jo, sepse dëshiroja të qëndroja këtu. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë”.

Williams foli edhe për kritikat që ka marrë në rrjetet sociale, duke theksuar se reagimet në internet nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht realitetin dhe raportin e tij me tifozët.

“Rrjetet sociale nuk janë jeta reale. Unë qëndroj pranë njerëzve që vijnë në Lezama. Ka shumë fëmijë që duan të bëhen si unë dhe më shohin si një shembull, sepse dëshiroj të jem një figurë e rëndësishme për ta”.

Nico Williams e ka konfirmuar përkushtimin e tij ndaj Athletic Bilbaos duke nënshkruar kontratë të re, e cila e mban të lidhur me klubin deri në qershor të vitit 2035./

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër